Misioni historik Artemis II i NASA ka hyrë në fazën më vendimtare, teksa katër astronautët e ekuipazhit përgatiten të rikthehen në Tokë pas një fluturimi të suksesshëm rreth Hënës. Edhe pse udhëtimi i tyre i çoi më larg se çdo mision tjetër i drejtuar nga njerëzit dhe i vendosi përkohësisht në izolimin e plotë të anës së padukshme të Hënës, sfida më e madhe i pret tani: rihyrja e rrezikshme e anijes Orion në atmosferën e Tokës. Kjo fazë konsiderohet testi më i vështirë për anijen dhe ekuipazhin, për shkak të shpejtësive dhe temperaturave ekstreme që mund të rrezikojnë misionin nëse sistemet e mbrojtjes nuk funksionojnë sipas planit.
Gjatë rihyrjes, kapsula Orion do të futet në atmosferë me një shpejtësi mbi 40 mijë kilometra në orë, ose më shumë se 11 kilometra në sekondë. Kompresimi ekstrem i ajrit rreth saj krijon një shtresë plazme të zjarrtë, me temperatura që mund të arrijnë deri në 10 mijë gradë Celsius. Sipërfaqja e jashtme e anijes pritet të nxehet deri në rreth 2.760 gradë Celsius, duke bllokuar përkohësisht edhe komunikimet me Tokën për disa minuta.
Element kyç për sigurinë e ekuipazhit është mburoja termike, e ndërtuar me materialin special Avcoat, i cili është projektuar të konsumohet gradualisht duke thithur nxehtësinë. Megjithatë, gjatë misionit Artemis I në vitin 2022, inxhinierët vunë re shkëputje të vogla të materialit në mbi 100 pika.
Analizat treguan se gazrat e krijuara brenda materialit u bllokuan, duke rritur presionin dhe shkaktuar mikroçarje. Një faktor që ndikoi në këtë fenomen ishte manovra e njohur si “skip reentry”, ku kapsula hyn dhe del përkohësisht nga atmosfera përpara se të rikthehet, duke rritur fenomenin qe njihet si stresti termik.
Për Artemis II, NASA ka vendosur të ndryshojë këtë profil rihyrjeje, duke shmangur manovrën e “kërcimit” në atmosferë. Orion do të hyjë me një kënd më të pjerrët, çka redukton kohën në zonën kritike dhe ul presionin mbi mburojën termike.
Kapsula pritet të ulet në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të San Diego, në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Duke folur nga hapësira gjatë kthimit drejt Tokës, piloti i misionit Victor Glover u shpreh se ekuipazhi mezi pret të ndajë me botën përvojat dhe të dhënat e mbledhura gjatë këtij fluturimi historik rreth Hënës.


