Gazetari Brenton Benja tha për ABC News se në anijen Artemis II, pasi astronautër të vendosen në orbitë, do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm në kapsulë dhe do të përdorin për herë të parë një tualet kompakt prej 23 milionë dollarësh.
Sipas tij, misioni realizohet në bashkëpunim me European Space Agency dhe partnerë kanadezë, pa ulje në Hënë, por me një fluturim rreth saj, ku distanca më e afërt do të jetë rreth 7,500 km për mbledhjen e të dhënave.
“ Menjëherë pasi janë nisur dhe janë vendosur në orbitë, katër sediljet në kapsulë mund të çmontohen, duke u dhënë astronautëve më shumë hapësirë për të lëvizur lirshëm brenda saj.
Për herë të parë në një mision drejt Hënës, astronautët do të kenë në dispozicion një tualet kompakt, i cili ka kushtuar rreth 23 milionë dollarë. Gjithashtu, ata kanë marrë me vete edhe ushqimet e tyre të preferuara për gjatë udhëtimit.
Ky mision realizohet në bashkëpunim me European Space Agency dhe partnerë kanadezë. Një rol kyç ka pasur agjencia europiane, e cila ka vendosur 11 motorë në kapsulë për të ruajtur trajektoren e saj.
Fillimisht, kapsula do të kryejë një xhiro rreth Tokës, që zgjat rreth një ditë, dhe më pas, me aktivizimin e motorëve të vendosur nga europianët, do të futet në trajektoren drejt Hënës. Udhëtimi deri në Hënë pritet të zgjasë rreth katër ditë.
Ky mision nuk parashikon ulje në Hënë. Astronautët do të kryejnë një fluturim rreth saj, ku distanca më e afërt do të arrijë rreth 7,500 kilometra, duke mundësuar mbledhjen e të dhënave të rëndësishme për satelitin natyror të Tokës.”


