Artan Fuga rrëfen betejën me Covid-19: Kisha dyshime nëse dhimbjet i ndjeja apo i kisha lexuar diku

schedule17:50 - 18 Nëntor, 2020

schedule 17:50 - 18 Nëntor, 2020

Akademik Artan Fuga ka treguar eksperiencën e tij gjatë infektimit me Covid-19 dhe “çelësin” për të kaluar këtë periudhë pa stres. Në një intervistë me gazetarin Endri Xhafo në “ABC”, Fuga tha se gjatë periudhës tre javore ka qëndruar i izoluar pa lidhje me median dhe leximin online për të shmangur atë që e konsideroi, përjetimi i dhimbjeve të tij sipas asaj që ka lexuar në rrjet.

“Sa i përket aspektit biologjik nuk mësova asgjë por ndoshta i prirur nga profesioni im mësova në aspektin sociologjik. Ajo që mësova është se si një shoqëri, jo vetëm shoqëria shqiptare, po shoqëria e sotme, shoqëri e mbështetur mbi shkencën rrëshqiti drejt një mitologjie.

Ajo që unë bëra gjatë infektimit tim, është që vendosa të shkëpus të gjitha lidhjet me median, leximin online sepse më shtonte shumë presionin dhe më bënte të mos ndjeja trupin tim por atë që media thoshte që trupi im po ndjente. Unë ajo që reflektova, është se si është e mundur që kemi rrëshqitur në shoqërinë mitologjike gjë që është karakteristike në pandemi. Siç duket, ne jemi një njeri që kemi moshën tonë plus 2000-3000 vjet. Geni i njeriut nuk ndryshon”, tha Fuga.

Fuga deklaroi se vështirësia që hasi në këto javë ishte nëse kolla, rrufa apo dhimbjet i kishte sepse i ndjente apo sepse ashtu i kishte lexuar diku. Ai këshilloi të gjithë ata që do të preken nga koronavirusi që të mos lexojnë lajme por të shohin vetëm filma.

“Unë në filozofi kam si referencë një filozof të viteve ’20 që thotë se ka një marrëdhënie ta ndërmjetësuar. Trupi dhe shpirti te njeriu janë bashkë dhe ky komunikim është pa ndërmjetës të jashtëm. pra të gjitha të tjerat janë të ndërmjetësuara. Ajo që unë pata si eksperiencë në tre javë me veten time, ishte që për herë të parë në jetën time më është prishur marrëdhënia e pamediatizuar mes trupit dhe shpirtit tim sepse me futeshin ato që ka lexuar. Vështirësia ime nëse ato që unë ndjeja, kolla, rrufa apo ndonjë dhimbje ishte sepse e ndjeja apo sepse e kisha lexuar diku.  Kur isha i prekur nuk dëgjoja askënd tjetër. Nuk duhet të lexojnë asgjë. Unë shikoja filma historikë, por nuk lexoja asgjë”, deklaroi Fuga./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!