Arta Marku me drejtuesit e prokurorive: Zbardhni vrasjet pa autor

schedule17:05 - 7 Shtator, 2018

schedule 17:05 - 7 Shtator, 2018

Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, zhvilloi një takim të premtën me drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore dhe të Apelit. Kryeprokurorja kërkoi rritjen e bashkëpunimit me Policinë dhe agjencitë e tjera të ligjit, ngritjen e grupeve të përbashkëta hetimore, për hetimin e krimit në tërësi, dhe në veçanti krimit kundër jetës, pronës, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vëmendje e shtuar u kërkua për dosjet e pezulluara pa autor, kryesisht të vrasjeve, riaktivizimin e hetimit për to dhe zbulimin e autorëve.  Në mbledhje Marku u kërkoi titullarëve të prokurorive që brenda muajit shtator të paraqesin listën e përditësuar të personave në kërkim dhe marrjen e masave për kapjen e tyre. Kryeprokurorja u ka kujtuar drejtuesve të prokurorive detyrimin ligjor për raportimin dymujor të gjendjes së kriminalitetit në rrethet përkatës.

Njoftimi i Prokurorisë

Më datë 07 shtator 2018, Prokurori i Përgjithshëm znj. Arta Marku zhvilloi një takim me të gjithë drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore dhe të Apelit.

Në mbledhjen e zhvilluar në Prokurorinë e Përgjithshme, zonja Marku, kërkoi rritjen e bashkëpunimit me Policinë dhe agjencitë e tjera të ligjit, ngritjen e grupeve të përbashkëta hetimore, për hetimin e krimit në tërësi, dhe në veçanti krimit kundër jetës, pronës, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryeprokurorja ka kërkuar vëmendje të shtuar për dosjet e pezulluara pa autor, kryesisht të vrasjeve, tërheqjen dhe analizën e detajuar të tyre, me qëllim kryerjen e veprimeve të gjithanshme, me shpejtësi dhe efikasitet në drejtim të zbulimit të autorëve.

Gjithashtu, gjatë mbledhjes, nga Prokurori i Përgjithshëm u është kërkuar drejtuesve të prokurorive, të paraqesin brenda muajit shtator, listën e përditësuar të personave në kërkim dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit marrjen e të gjitha masave për evidentimin dhe kapjen e tyre.

Për më tej, Kryeprokurorja u ka kujtuar drejtuesve të prokurorive detyrimin ligjor për raportimin dymujor të gjendjes së kriminalitetit në rrethet përkatës. /abcnews.al