Ish-deputetja Socialiste Arta Dade ka treguar si e ka mësuar lajmin për ndarjen nga jeta të Bashkim Finos, ndërsa rrëfeu lidhjen e ngushtë që ai kishte me të ëmën, e larguar nga kjo botë tre muaj para të birit.
“E mora lajmin në mëngjes. E dija që ishte pa qejf. Kam komunikuar në Janar kur e ngushëllova për humbjen e nënës. Të paktën e ëma nuk e mori këtë lajm të hidhur. Bashkimi ishte rritur jetim dhe e ëma e kishte lidhur jetën me Bashkimin.Më erdhi në kujtesë zëri i saj kur Bashkimi mori përsipër detyrën e vështirë për të drejtuar vendin në krizën më të thellë që ka pasur vendi. Me Bashkimin jemi njohur prej 30 vitesh. Ai ishte kryetar i Bashkisë së Gjirokastër”, u shpreh Dade.
Ajo kujtoi se si nisi propozimi për vendosjen e Bashkim Finos, deri te bindja e tij për të pranuar këtë vendim dhe ditën e parë në kryeministri si drejtues i qeverisë së Pajtimit Kombëtar.
“Bashkimi përfaqësonte PS. Në atë kohë duhej të zgjidhej një kryeministër mundësisht nga jugu ku kishte shumë manifestime. Duhej një kryeministër të pranohej nga ai komunitet. Unë mbaj mend që ishim një grup shokësh në zyrën e Namikut dhe erdhi natyrshëm emri i Bashkimit. Bashkimi i kishte të gjitha cilësitë të ishte kryeministër në atë moment. E kanë përcjellë te helikopteri me entuziazëm. Besoj që qe një gjetje. Meritat janë të kryesisë që i mbushën edhe mendjen Bashkimit. Ai ishte i matur dhe normal që fillimisht hezitoi. E pritëm te PS. Qe një entuziazëm i madh.
Unë me Namikun u ndalëm një moment para hyrjes anësore të kryeministrisë dhe aty nuk kishte punonjës garde. Kryeministri i Shqipërisë ishte lënë vetëm. Në atë kohë pati shumë gjuajtje me kallashnikov. Ne u futëm në zyrë dhe vetëm tek dera ishte një nga bodyguardët që Fino e mbajti dhe më vonë. Nuk kishte as sekretare të kapte telefonin. Garda ishte larguar bashkë me kryeministrin që iku. Kujtoj që mori në telefon edhe nëna e Finos.
I thashë mos u shqetëso se nuk e lëmë vetëm Bashkimin. Janë momente që nuk do shlyen nga kujtesa ime. Në këtë moment Fino mund të konsiderohej një institucion. I dha Shqipërisë optimizmin se kriza do zgjidhet. Është kryeministri që pati komportim pozitiv edhe me ndërkombëtarët. Njerëzit kishin kallashnikov në duar. Zor se kishte familje që nuk kishte kallashnikov poshtë krevatit, përfshirë edhe mua. Bashkim Fino nuk ishte nga ata që vetëm mori nga PS. Kjo është një marrëdhënie. Fino më shumë i dha PS-së se sa mori. Ka mjaft personalitete të PS që më shumë kanë dhënë”, deklaroi Arta Dade./mv.abcnews.al