GJIROKASTËR- Është një nga artizanet më të veçanta, e kjo për vetë punimet që realizon dhe ofron në subjektin e saj modest në qendër të pazarit karakteristik të Gjirokastrës.
Kela Myrtaj ushtron këtë zanat prej disa vitesh, ndërsa realizon mozaikë të ndryshëm me guralecë, duke sjellë jo vetëm punime artistike, por edhe një nga elementët që karakterizon Gjirokastrën, gurin.
Ajo thotë se lëndën e parë e siguron në zona të ndryshme të qytetit, ndërsa shton se edhe gjatë punimeve për restaurimin e kalldrëmeve karakteristike, ajo mblidhte dhe përzgjidhte guralecët që ngeleshin pas nga gurskalitësit.
Realizimi I një mozaiku është mjaft I vështirë, pasi përveç durimit dhe përkushtimit, puna kërkon edhe mjaft kohë, që shkon deri në 6 muaj.
Pasioni i Kelës duket se lidhet me profesionin e babait të saj, që njihet gjerësisht për realizimet dhe kontributin që ka dhënë në ruajtjen e traditës dhe arkitekturës gjirokastrite.
Por a do të ketë vazhdimësi kjo traditë në familjen e saj? Për fat të keq, në këtë rast artizania duarartë është pesimiste. Punimet janë me peizazhe dhe përmasa të ndryshme të cilat janë mjaft të pëlqyera nga turistët, sidomos ata të huaj.
Për punimet e saj që mund të konsiderohet vepra arti, Kela Myrtaj është vlerësuar edhe me çmime prestigjioze në evente të ndryshme që janë zhvilluar, jo vetëm në Gjirokastër, por edhe më gjerë./abcnews.al