Arsimi profesional/ Manjani: Mbi 60 % e nxënësve punësohen që në shkollë. Do rishikojmë pagat e mësuesve për lëndët e profesionit

schedule14:36 - 5 Janar, 2024

schedule 14:36 - 5 Janar, 2024

Zëvendës ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, në një intervustë për “Money Report”, tha se strategjia e qeverisë për reformimin e arsimit profesional bazohet në tre shtylla kryesore: investimet në infrastrukturën shkollore, përmirësimi i cilësisë dhe orientimi i nxënësve drejt arsimit profesional.

“Këto ishin ndryshime që u diktuan nga nevoja shumë e lartë e tregut për profesione dhe zanate, përfshirë sektorin e hoteleri turizmit që gjatë këtij viti pati rritje. Sfida më e madhe mbetet furnizimi me forcë punëtore të kualifikuar dhe të paku për të shërbyer në këtë sektor. Janë 3 shtylla kryesore ku po fokusohet strategjia e qeverisë. E para, lidhet me investimet në infrastrukturë, ku përfshihen investimet në shkolla, konviktet dhe laboratorët ku kryhen praktikat profesionale. Pothuajse 100 % e nxënësve kryejnë praktika në ambientet e shkollës dhe një pjesë pranë bizneseve. Orientimi i vëmendjes drejt përmirësimit të infrastrukturës shkollore është e rëndësishme që kjo strategjisë të funksionojë. E dyta, fokusohet tek përmirësimi i cilësisë, rishikimi i kurrikulave në një formë të përditësuar që i përgjigjet nevojave të tregut. Kjo do të sigurojë një ndërlidhje më të mirë me tregun e punës. Mbi 60 % e nxënësve që studiojnë në arsimin profesional gjejnë punë që në bankat e shkollës. E treta, është orientimi i nxënësve drejt arsimit profesional. Gjatë 2024 do të vijojmë me promovimin e arsimit profesional. Kemi bërë vizita në shkolla, takime me drejtuesit e arsimit profesional dhe të përgjithshëm parauniversitar, me prindër dhe me nxënësit në mënyrë që ata të ndërgjegjësohen se arsimi profesional është mënyra e duhur jo vetëm për një punë të denjë por edhe me të ardhura shumë të mira në tregun e punës.”, u shpreh ajo.

Ajo theksoi se po rishikohen edhe pagat e mësueve që japin lëndët e profesionit. Manjani theksoi se ndër profesionet më të kërkuara janë ato që lidhen me teknologjinë e informacionit, me hoteleri turizmin. Një interes të shtuar, tha ajo, ka pasur edhe në sektorin e energjisë dhe në atë agro ushqimor.

“Siç thashë kërkesa lidhet me ata sektorë qe konsiderohet prioritar nga qeveria, sektori i teknologjisë dhe informacionit. Qeveria ka ndërmarrë edhe një program që ka filluar në fund të vitit 2022 dhe ka vijuar në 2023 që është kodimi. Qeveria ka bërë një marrëveshje me sektorin privat për kurset e teknologjisë së informacionit. Ka pasur interes për të rinjtë që janë regjistruar në këto kurse. Risia në këtë marrëveshje ishte bashkëpunimi me sektorin privat, nëpërmjet luponëve qeveria ka subvencionuar 50-100 të kostos së këtyre kurseve. Gjatë 2024 do të vijojë programi i kodimit, duke parë edhe interesin e lartë që shfaqur që nga numri i regjistrimeve“, shtoi Manjani.

Më tej, Manjani u ndal edhe tek programi i garancisë rinore.

“Është një program që synon mbështetjen e punësimit të të rinjve. Strategjia e qeverisë për rritjen e punësimit lidhet jo vetëm me punësimin e të rinjve por edhe me të gjithë kategoritë që nuk janë aktiv në tregun e punës. Shifrat tregojnë rënie të papunësisë dhe duke integruar edhe më shumë të rinj në tregun e punës, do të ulen më tepër gjatë 2024. Aktivizimi i kategorive të ndryshme në treg do të sjellë edhe rënien e mëtejshme të papunësisë.”, u shpreh Manjani./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!