Platforma 100 mijë € dhe plagjiatura, “Bardh a Zi” hedh arsimin në gjyq, Ornela: Shkolla plot me të infektuar

schedule21:40 - 4 Dhjetor, 2020

schedule 21:40 - 4 Dhjetor, 2020

Erioni dhe Ornela hodhën shkollën në gjyq. Kush mbizotëron në vendon tonë: dija apo padija? A po prodhon cilësi arsimi shqiptar? Puntata e sotme e emisionit “Bardh a Zi” u fokusua tek arsimi dhe problematikat e mëdha të tij. Kush janë problemet e arsimit të lartë dhe a po zbatohet ligji?

Profesori i njohur Artan Fuga e cilësoi ligjin e miratuar pak kohë më parë si të dështuar, për këtë radhiti edhe arsyet. “Ky është një ligj i dështuar, do të sjellë kaos, nuk do të riparojë mangësitë dhe nuk do të sjellë asnjë hap përpara. Arsimi i lartë dominohet nga ministria. E tërë struktura komandohet politikisht. Shkenca dhe arsimi i kontrolluar politikisht nuk mund të funksionojë. Unë kam 6 vite që nuk ndryshoj dot lëndët që lektoroj” tha ai.

Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit të lartë tha se ky është i vetmi ligj pa faturë. “Ishte i vetmi ligj që nuk kishte faturë financiare. Nuk kam parë asnjë ligj pa faturë financiare” tha ai. Mehmeti në fjalën e tij përsëriti edhe akuzën ndaj zv/ ministrit Olti Rrumbullaku për plagjiaturë. “Janë akuzuar për plagjiaturë ish-zv/ ministri dhe zv/ ministri aktual, është akuzuar, por ne nuk e zgjidhim dot, janë akuzuar disa ish-ministra dhe deputetë dhe nuk i gjejmë dot. Ajo anti-plagjiatura u shuara fare” tha ai.

Përgjigja e zv/ ministrit të Arsimit Olti Rrumbullaku ishte kjo “Cdo vit jap mësim 500 studentëve te fakulteti i Ekonomisë, kam punuar 5 vite për të bërë një libër që mund të jetë ndër të paktët në atë fakultet që e kanë edhe specialistët e fushës. Nëse ndonjëri nga këta që janë këtu arrijnë të shkruajë një gjysmë materiale që ti afrohet atij libri….

Për Endri Shabanin gjithçka ka degraduar. “Ne jemi në degradim. Ministria e Arsimit ka centralizuar gjithçka. Sa më shumë shkollohesh aq më pak mundësi për punë ke në Shqipëri. Ne 2 vite kemi 14 mijë studentë më pak sepse shkojnë jashtë” tha ai.

Por përse kemi mbetur akoma te ABC-ja? “Sepse nuk kemi asnjë plan strategjik. Buxheti për arsimin është skandaloz” tha Mehmeti. Ndërsa ish-deputeti Luçiano Boçi gjen edhe një problem tjetër. “Nuk kemi as ndërlidhje mes cikleve te studimit”.

Pjesa e dytë të emisionit u fokusua te mësimi online përmes platformës Akademia.al, që ka një kosto 100 mijë euro në muaj. Por cfarë mendon profesor Artan Fuga? “Nuk e njoh fare” tha ai.

Referuar situatës aktuale nga koronavirusi, Ornela Gaçe bëri një denoncim të fortë. “Ore janë mbushur shkollat me mësues të sëmurë, dhe këta nuk e dinë akoma ose nuk duan ta tregojnë. Shkolla “Jeronim de Rada” është plotë me mësues të infektuar” tha ajo.

Ndërsa Shabani akuzoi qeverinë për humbjet e jetëve. “Përgjegjësi është për cdo mësues dhe pedagog që ka vdekur, qeveria ka përgjegjësi penale, pasi është vendim i gabuar. Në momentin që ke një pandemi që nuk e menaxhon, të paktën ruaj jetën mësuese dhe pedagogëve. Jam dakord që mësimi të bëhet online” deklaroi ai./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!