Arsenali u mposht 1-0 në transfertë nga Sheffield United mbrëmjen e kaluar. Loja e dobët dhe rezultati negativ u shoqëruan me kritikat ndaj “Topçinjve”. Patrice Evra i cilësoi si fëmijë lojtarët e Arsenalit në komentin e tij për Sky Sports.
Granit Xhaka ka reaguar ndaj francezit. Kapiteni i Gunners është i lodhur me kritikat dhe mbron shokët e skuadrës. Mesfushori ka respekt për Evra, por nuk i kursen thumbimet ndaj tij.
“Shumë njerëzve nuk iu mbyllet goja. Dëgjova se Evra kishte thënë diçka kundër nesh. Kam respekt për të, ishte një lojtar i madh, por duhet të tregohet më i kujdesshëm në situata të tilla. Nuk flet vetëm ai, flasin të gjithë. Të gjithë thonë budallallëqe kundrejt nesh dhe ndodh gjithmonë kështu.
E çuditshme, pasi kanë kaluar situata të tillë kur ishin futbollistë. Ndonjëherë luajmë mirë, e ndonjëherë keq. Kur të përflasin gjithmonë, pas çdo ndeshje, dhe kur flet idiotësira të tilla, atëherë askush nuk do të ketë më respekt për fjalët që thua“, përfundon Granit Xhaka. /abcnews.al