Imagjinoni që nuk e kanë fituar asnjëherë trofeun e madh. Arsenali është një nga emrat më të shquar të Europës pa një Champions, dhe po kështu Paris Sen Zhermeni që nuk ia ka dalë as pas investimeve prej qindra milionë eurosh nga pronarët sheikë.
Pikërisht këto dy ekipe do të ndeshen sot në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, në orën 21:00 në stadiumin “Emirejts” të Londrës. Anglezët, që eliminuan Realin e Madridit në çerekfinale, janë ndoshta në momentin më të mirë në historinë e tyre, të krahasueshëm me atë të vitit 2006.
Besimi është I plotë, ndërsa fokusi është vetëm në Europë, pasi nuk luftuan dot për titullin në Champions. Gjithsesi, trajneri Mikel Arteta nuk është pa shqetësime pasi mungesa ka plot 6.
Të dëmtuar janë Merino, Kalafiori, Gabriel, Tomijasu, Zhezus dhe Zhorginjo. Arteta pyetet nëse kjo ndeshje ka shkaktuar ndjenja të forta.
“Natyrisht që kjo ndeshje krijon një atmosferë të veçantë. Ju e ndjeni energjinë dhe entuziazmin që është diçka unike. Do të luajmë një nga ndeshjet më të mëdha të jetës sonë. Ne jemi plot me energji dhe entuziazëm, dhe mezi po presim që ta luajmë këtë ndeshje. Ne po shkruajmë historinë, por ne duam më shumë se kaq”.
Paris Sen Zhermeni gjithashtu ka pretendime, madje të mëdha. Skuadrën e udhëheq trajneri Luis Enrike që fitoi Championsin në 2015 me Barcelonën, dhe që dëshiron të përsëritet.
Për më tepër, PSG e ka fituar tashmë titullin në Francë, dhe është në finalen e Kupës. Për fat, aktualisht nuk ka asnjë lojtar të dëmtuar apo të pezulluar, ndërsa në Champions më herët është eliminuar favoriti Liverpul.
Çfarë pret Luis Enrike nga ky duel?
“Është një gjysmëfinale e Championsit, por është gjithashtu një ndeshje futbolli si gjithë të tjerat. Dy rivalë janë përballë ambiciozë që duan fitoren. Detyra jonë kryesore për këtë duel është që të kontrollojmë momente nga më të ndryshmet që mund të ndodhin. Një sfidë e tillë është e paparashikueshme, ndaj duhet të jemi gati për çdo gjë. Kjo është shumë e rëndësishme”.
Arsenali cilësohet favorit, edhe sepse eliminoi kampionen e Europës, Real Madrid, por edhe sepse ka bilanc pozitiv me francezët. Në pesë ndeshje ka tri fitore, dy barazime dhe asnjë humbje./abcnews.al