Pas muajsh të tërë dhunë, ditën e shtunë Sudani është përfshirë nga festimet, pasi autoritetet ushtarake dhe klasa politike kanë arritur një marrëveshje për kalimin e pushtetit tek një administratë civile.
Regjimi ushtarak në Sudan dhe koalicioni kryesor i opozitës së vendit kanë rënë dakord mbi një deklaratë kushtetuese, që do të hapë rrugën për kalimin e pushtetit tek civilët. Ndërmjetësi i Unionit Afrikan, Mohamed Hasan Lebat bëri të ditur lajmin në orët e para të së shtunës, pa dhënë detaje të tjera. Sudani ka qenë i përfshirë nga trazirat që kur ushtria rrëzoi presidentin Omar al Bashir në muajin prill dhe bisedimet për deklaratën janë shoqëruar me akte të shumta dhune.
Miratimi i dokumentit të shumëpritur solli festime në mbarë Sudanin, pas muajsh të tërë krize. Të dyja palët nënshkruan akordin për ndarjen e pushteteve në korrik dhe që prej atëherë demonstruesit kanë pritur publikimin e më shumë detajeve të saj.
Trazirat nisën në dhjetor, pasi qeveria e Omar al Bashir vendosi masa ekonomike emergjente. Më pas ai u rrëzua nga pushteti në prill, pas manifestimeve të gjata të mbajtura jashtë selisë së Ministrisë së Mbrojtjes në Kartum. Që prej atëherë demonstruesit kanë bërë thirrje për kalimin e autoritetit shtetëror tek një administratë civile. Dokumenti i ri i miratuar parashtron kushtet për një periudhë tranzicioni 3-vjeçare dhe parashikon që ndarja e pushtetit të bëhet mes 6 civilëve dhe 5 gjeneralëve të ushtrisë./ABC News Albania 24/7