Trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu ka nevojë edhe për dy prurje nga merkato: një qendërmbrojtës dhe një sulmues. Drejtuesit e Kastriotit e kanë gjetur të dytin, një emër shumë i njohur i Kategorisë Superiore.
Ai është Sebino Plaku, i cili sezonin e fundit u aktivizua në IPKO Superligën e Kosovës. Fazën e parë garoi me Llapin, teksa në janar u largua nga skuadra nga Podujeva për të kaluar te Gjilani i Mezanit.
Panorama Sport raporton se klubi krutan ka arritur akordin me sulmuesin nga Tirana. Një rikthim te Kastrioti për 35-vjeçarin, i cili ka qenë pjesë e këtij ekipi në fazën e parë të sezonit 2011/2012.
Plaku sjell eksperiencë dhe gola për ekipin e ngjitur në elitën e futbollit shqiptar, që tani është fokusuar te gjetja e një lojtari cilësor për qendrën e mbrojtjes. /abcnews.al