Arrestohet “taksisti”, kapen shpërndarësit e drogës në zonën e plazhit, policia “mbërthen” klientët

schedule08:43 - 12 Maj, 2021

schedule 08:43 - 12 Maj, 2021

Ka shkuar në katër numri i personave të arrestuar në kuadër të operacionit “Taksisti”, të nisur pasditen e djeshme në Durrës. Policia njofton se në pranga janë vënë Erges Shehi, 30 vjeç, Vilson Memini, 29 vjeç (i dënuar me parë për korrupsion aktiv), Armand Gjoka, 55 vjeç, të tre banues në Durrës dhe Agron Baci, 52 vjeç, banues në Tiranë.

Burime bëjnë me dije se Memini ka qenë më parë i proceduar edhe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërkohë që Shehi ka precedentë të mëparshëm në fushën e narkotikëve si dhe ka qenë i akuzuar për veprën penale “dëmtime të tjera me dashje” ndaj Fation Taipit.

Si u kapën

Një prej tyre, Armand Gjoka ka shkuar në zonën e plazhit me automjetin e tij taksi së bashku me të arrestuarin tjetër Agron Baci, për të blerë lëndën narkotike që posedohej nga Shehi dhe Memini. Në momentin kur kanë konstatuar policinë ata kanë tentuar të largohen por janë kapur gjatë ndjekjes. Mësohet se poseduesit e lëndës narkotike janë vënë në pranga pasditen e djeshme, ndërsa dy “klientët” që janë larguar me taksi janë arrestuar në orët e natës.

Pas arrestimit, policia u ka sekuestruar edhe lëndën narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 900 gramë, automjetin taksi dhe 6 aparate celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i policisë

Durrës, Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Taksisti”.  Vihen në pranga 4 shtetas.  Sekuestrohen 900 gramë lëndë narkotike kokainë.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Durrës, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar  “Taksisti”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

E. Sh., 30 vjeç, V. M, 29 vjeç (i dënuar me pare me korrupsion aktiv), A. Gj., 55 vjeç, të tre banues në Durrës dhe  A. B., 52 vjeç, banues në Tiranë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas një informacioni të marrë në rrugë operative se shtetasi A. Gj. kishte ardhur në zonën e Plazhit, me mjetin e tij taksi, së bashku me shtetasin A. B. (pasagjer), për të blerë një sasi lënde narkotike tek dy shtetas të tjerë, kanë organizuar punën për kapjen e tyre.

Në momentin e konstatimit dhe të ndërhyrjes së Policisë, shtetasit E. Sh. dhe V. M., të cilët posedonin lëndën narkotike, ndodheshin në një lokal në zonën e plazhit  dhe sapo kanë vënë re prezencën e Policisë kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë tentuar të largohen, por janë neutralizuar dhe arrestuar nga Policia gjatë ndjekjes.

Gjate tentativës për t’u larguar, këta shtetas kanë hedhur një pako, e cila më pas u konstatua si lëndë narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 900 gramë.

Gjatë operacionit u bë kapja dhe arrestimi edhe i dy shtetasve të tjerë A. Gj. dhe A. B., të cilët do blinin lëndën narkotike.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti taksi dhe 6 aparate celular.  Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

/mv.abcnews.al