Policia kolumbiane ka arrestuar në Kartagjenë, Almir Gjidiaj, të kërkuar nga drejtësia shqiptare si pjesëtar të një organizate kriminale për trafikimin e armëve.
33-vjeçari me origjinë nga Tropoja, mësohet se prej të paktën 5 vitesh fshihej në Kolumbi, ndërsa në momentin e arrestimit të tij, në një hotel në ishullin Rosario, ka tentuar që të arratiset, por është kapur në oborrin e godinës luksoze.
Për Almir Gjidiajn, Gjykata e Posaçme, me vendimin e datës 30 korrik 2024, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, në mungesë për veprat penale “trafikimi i armëve dhe municionit”, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Gjidiaj, kishte një rol kryesor për organizmin dhe transportin për shitjen e armëve të zjarrit, të cilat në disa raste janë trafikuar nga Shqipëria në drejtim të Britanisë së Madhe. Më herët gjatë muajit shtator 2024, nga Kolumbia u ekstradua Admir Tutaj, një tjetër anëtar I këtij grupi kriminal.
Në muajin prill 2023, Policia e Shtetit organizoi një operacion në Portin e Durrësit. Në një automjet furgon tip “Benz”, u gjetën 8 pistoleta të markave të ndryshme, që dyshohet se destinacion përfundimtar kishin Britaninë e Madhe.
Almir Gjidiaj rezulton se është arrestuar edhe në vitin 2011 bashkë me 3 persona të tjerë. Në atë kohë, banesës ku jetonte Gjidiaj dhe 3 miqtë e tij ju vendos eksplozvi, ndërsa pas ndërhyrjes së policisë u gjetën rreth 5 kg kanabis.
33-vjeçari aktualisht ndodhet në paraburgim në Kolumbi në pritje të firmosjes së Ekstradimit për në Shqipëri./abcnews.al


