Arrestohet Shefi i Urbanistikës në Bashkinë e Vlorës, pranga edhe 1 zyrtari tjetër e 1 pronari

schedule17:15 - 9 Nëntor, 2021

schedule 17:15 - 9 Nëntor, 2021

Vlorë – Është arrestuar Përgjegjësi i Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë e Vlorës, Rubin Hekurani.

ABC mëson se në pranga kanë rënë edhe dy zyrtarë të tjerë, konkretisht zyrtari i Urbanistikës, Klaudjo Mehmetaj dhe Parid Klausi.

Shkak i arrestimit mësohet se është dhënia e një leje ndërtimi për një person në rrugën Transballkanike.

Rubin Hekurani dhe Klaudjo Mehmetaj akuzohen për shpërdorim detyre. Ndërsa Parid Klausi është personi që përfitoi në mënyrë jo të rregullt lejen e ndërtimit. Ai është pronar i një lokali për të cilin përfitoi lejen për një shtesë në godinë.

Njoftimi i policisë:

DVP Vlorë/Vihen në pranga 3 shtetas, 2 prej tyre për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, u bë ekzekutimi i vendimit të datës 09.11.2021, i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasit:

-R. H., 33 vjeç dhe K. M., 32 vjeç, të dy banues në Vlorë, me detyrë punonjës pranë zyrës së Urbanistikës, Bashkia Vlorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim;

-N. K., 53 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.

Dy punonjësit e urbanistikës dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën, duke i miratuar një leje ndërtimi shtetasit N. K., i cili më pas e ka tejkaluar atë, duke ndërtuar një kat shtesë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/