Arrestohet për korrupsion kryebashkiaku i Liverpool

schedule15:52 - 5 Dhjetor, 2020

schedule 15:52 - 5 Dhjetor, 2020

Prej dhjetë vitesh kryetar bashkie i Liverpool, Joe Anderson është arrestuar me akuzat e mashtrimit dhe korrupsionit. Partia laburiste e ka përjashtuar menjëherë nga radhët e saj në pritje të përfundimit të hetimeve

Ish asistent social dhe më pas menaxher i një pub-i, 62 vjecari Anderson ka qenë për dy dekada këshilltar bashkiak para se të kandidonte në vitin 2010 për postin e kryebashkiakut, që atëherë ai është rizgjedhur gjithnjë në mënyrë të pandërprerë si qytetari i parë i një prej qendrave urbane më të rëndësishme të Britanisë së Madhe; qyteti është i njohur në të gjithë botën si vendlindja e Beatles dhe për ekipin e futbollit i cili aktualisht është kampioni në fuqi në Premier League.

Akuzat ndaj Anderson, sipas britanikes Gardian, kanë të bëjnë me tendera në sektorin imobiliar dhe në infrastrukturat e qytetit. Arrestimi jo domosdoshmërish nënkupton fajësinë e tij, dhe as që ai do të qëndrojë në qeli. Policia për të marrë në pyetje një person të dyshuar për një krim duhet ta arrestojë dhe t’i japë të drejtën e një avokati para se të flasë.

Së bashku me Anderson janë arrestuar pesë persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk është bërë publik. Dhe ata akuzohen për mashtrim dhe korrupsion si dhe frikësim të dëshmitarëve. Në vitin 2017, kryebashkiaku i Liverpul kandidoi dhe për një vend si deputet në parlamentin e Uestminster, por nuk u zgjodh.

Vëllai i tij i madh u nda nga jeta në muajin tetor si pasojë e koronavirusit dhe vetë Anderson ka kaluar pjesën më të madhe të kohës në izolim meqenëse vuan nga shqetësime të ndryshme fizike. Një episod i sikletshëm për laburistët, të cilët lideri i ri Starmer ka premtuar se do i çojë drejt fitores pas humbjes nga paraardhësi i tij Jeremy Korbin në zgjedhjet e muajit dhjetor të një viti më parë. Ajo ishte dhe humbja më e rëndë e laburistëve në 85 vite./abcnews.al