Arrestohet në Vlorë i shumëkërkuari për drogë nga Spanja (EMRI-VIDEO)

schedule16:17 - 5 Maj, 2022

schedule 16:17 - 5 Maj, 2022

Është arrestuar në Vlorë Kastriot Dervishaj i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Spanja për kultivim dhe trafikim lëndësh narkotike.

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimi, një shtetas i kërkuar për kultivim dhe trafikim të narkotikëve. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, u bë kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimi, i shtetasit: K. D., 41 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë“, njofton policia.

42 vjeçari i arrestuar në lagjen “24 Maji” ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore spanjolle, me vendimin e datës 14.12.2020, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e tij shtetasi drejt Spanjës.

Kujtojmë se më 16 mars 2022, hyri në fuqi Marrëveshja e Ekstradimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës.

“Në më pak se dy muaj pas hyrjes në fuqi, sot, më dt. 05.05.2022, Prokuroria e Përgjithshme u njoftua për arrestimin e dy shtetasve shqiptarë përkatësisht në Kukës dhe Vlorë. Shtetasit ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi përkatësisht në vitin 2020 dhe vitin 2021 për veprat penale “trafik lëndësh narkotike” dhe “Organizatë kriminale”, “Falsifikim dokumentacioni”, “Shkelje e ligjit për drogat”“, thuhet në njoftim.

Prokuroria e Përgjithshme, mbështetur në Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, (si shtesë e Konventës Evropiane për Ekstradimin të 13 Dhjetorit 1957, ratifikuar me Ligjin nr. 17/2022, (hyrë në fuqi më datë 16.03.2022), si dhe nenet 493 e vijues të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, inicioi kryerjen e veprimeve proceduriale përkatëse lidhur me ekstradimin e dy shtetasve duke ia përcjellë dokumentacionin prokurorive kompetente.

Këto dy raste përbëjnë rastet e para të fillimit të zbatimit konkret të marrëveshjes. Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje dypalëshe ekstradimi me Republikën e Italisë, Mbretërinë e Bashkuar, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Republikën e Kosovës dhe së fundmi edhe me Mbretërinë e Spanjës.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!