Arrestohet në Tiranë 42 vjeçari i dënuar për vrasje

schedule13:37 - 1 Mars, 2018

schedule 13:37 - 1 Mars, 2018

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 42 vjeçar i dënuar më parë për vrasje me dashje, shkatërrim të pronës me eksploziv dhe prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake.

Në pranga ra Eduart (Edison) Dushku, 42 vjeç, lindur në Tiranë. Ai u kap në flagrancë në rrugën e Elbasanit.

Gjatë kontrollit personal i janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri, fishekë, dy maska, kapsolla detonatore dhe aparate celularë.

Njoftimi i Policisë Tiranë

Finalizohet operacioni policor “Përsëritësi”.

Sekuestrohen dy armë zjarri, fishekë, dy maska, kapsolla detonatore dhe aparate celularë.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë finalizuar me sukses operacionin policor “Përsëritësi”, ku është bërë i mundur arrestimi në flagrancë, për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja  e armëve luftarake” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”, i shtetasit:

  • Eduart (Edison) Dushku, 42 vjeç, lindur në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale: “Vrasja me dashje”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv’’ dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”.

Kapja në flagrancë e këtij shtetasi u bë në rrugën e Elbasanit, ku gjatë kontrollit personal i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

  • Një armë zjarri pistoletë e tipit “TT” model 54 me kalibër 7.62 mm, me një krehër me 8 fishekë.

Gjithashtu gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

  • Një armë zjarri automatike “Kallashnikov” 7.62 ,
  • Njëmbëdhjetë fishekë pistolete model “Makarov”,
  • Tetë kapsolla detonatore,
  • Dy maska,
  • Aparat celular i tipit “IPhone 7” me kartë SIM.
  • Aparat celular i tipit “Samsung S7” me kartë SIM.
  • Aparat celular i tipit “IPhone 8” me kartë SIM.

Gjithashtu për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin nr. 1995, datë 08.09.2017, kishte ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest me burg”, për veprën penale të “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, duke e zëvendësuar me masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Shtetasi në momentin e arrestimit ishte me masë sigurie “Arrest shtëpie”.

Nga ana e jonë u kryen veprimet e para proceduriale dhe materialet në ngarkim të shtetasit Eduart Dushku, do t’i kalojnë Prokurorisë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e armëve luftarake” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”  të parashikuara nga nenet 278 dhe 323 e Kodit Penal.

Eduart Dushku, rezulton me precedentë penale për veprat penale: “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Vrasja me dashje e kryer në bashkëpunim”, “Armëmbajtja pa leje”, “Dhunë në familje” ,”Kallëzim të rremë”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”,  “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme. /abcnews.al