Arrestohet në Francë ish presidenti i UEFA-s Michel Platini. Ish legjenda e futbollit francez akuzohet për korrupsion në rastin e zgjedhjes së Katarit si vend organizator për kampionatin botëror të futbollit në vitin 2022.
Policia franceze ka arrestuar ish presidentin e UEFA-s Michel Platini. Ai akuzohet për korrupsion në rastin e dhënies së Katarit të drejtën për të organizuar kampionatin botëror të futbollit 2022. Platini u zgjodh president i UEFA-s në vitin 2007 dhe mbajti postin deri në 2015-n. Mediat franceze bëjnë të ditur se ai është arrestuar mëngjesin e të martës.
Legjenda franceze e futbollit u largua nga posti i presidentit të UEFA pas vendimit të komitetit etik. Sipas të dhënave të para nga hetimet Platini akuzohet se ka marrë një shumë të konsiderueshme parash për ti dhënë Katarit të drejtën e organizimit të kampionatit botëror të futbollit në vitin 2022.
Në dhjetor të vitit 2010, Katari mes shumë kritikave u zgjodh si vendi organizator për 2022-shin.
Menjëherë pas këtij vendimi pati shumë akuza për mënyrën e zgjedhjes së vendit organizator, për faktin se Katar është në qendër të kritikave për sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut dhe statusit të homoseksualitetit, i cili dënohet me ligj.
Në vitin 2014, Platini pranoi se kishte pasur një takim sekret me zyrtarin Mohamed Bin Hamam, pak para votës së tij për Katarin. Burime pranë ish-presidentit të UEFA-s konfirmuan për britaniken “Telegraf” në atë kohë se Platini ishte takuar me zyrtarë të Katar për një mëngjes pune në një hotel në Zvicër, disa ditë para vendimit kontrovers./ ABC News Albania 24/7