HIMARË- Kryetari në detyrë i Bashkisë Himarë Jorgo Goro, u vu në pranga pasditen e të shtunës me urdhër të SPAK pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke tjetërsuar dy prona me sipërfaqe të konsiderueshme në jug të vendit.
Goro u arrestua në një lokal në Dhërmi rreth orës 17:00 teksa ndodhej në shoqërinë e disa personave të tjerë. Përveç Goros masa “arrest në burg” është caktuar edhe për Stavri Mehillin, i cili është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka përfituar një nga tokat dhe ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”.
Në tjetërsimin e provave janë përfshirë edhe tre persona të tjerë Jerasimo Bashi, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bilbil Aliaj ish Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë dhe Vezir Gjikoka Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ndaj të treve SPAK ka ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se Jorgo Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashi pa bërë asnjë verifikim, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumentE tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikoka është tjetërsuar në favor të Stavri Mehillit duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të.
Sipas SPAK Mëhillit ka përdorur më shumë se një here dokumente dhe formularë të falsifikuar, veprime që kanë sjellë edhe regjistrimin fillestar në emër të Foto Mëhillit të sipërfaqes prej 5512 m2.
Pas regjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues shtetasin Artan Gaçi.
Gjithashtu sipas SPAK, Goro në një tjetër rast ka realizuar zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Hetimet ndaj Goros nisen pas kallëzimit në SPAK të Fredi Belerit, kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë, tetorin e vitit të shkuar. Me Goron e Belerin pas hekurave, Himara mbetet serish pa kryetar./ abcnews.al