Një shtetas serb i akuzuar për pjesëmarrje në krimet e luftës gjatë konflikteve të viteve ‘90 në Ballkan është arrestuar nga policia rumune në portin e Galatit. Lajmi bëhet i ditur në një komunikatë për shtyp të shpërndarë nga garda kufitare rumune.
Personi, i quajtur Stevan Budac, ishte pjesë e ekuipazhit të një anijeje që po lundronte me një flamur serb kur është ndalur nga agjentët e kufirit, që e kanë identifikuar përmes fotos sinjalistike të INTERPOL-it.
Sipas njoftimit, për 50-vjeçarin ishte shpallur një urdhër-arrest ndërkombëtar për krime lufte dhe genocid, të kryera në periudhën shtator-dhjetor të vitit 1991.
Urdhër-arresti ishte lëshuar nga një gjykatë në Kroaci, e cila akuzon Budac se në periudhën mes viteve 91-95 ishte pjesë e një grupi paraushtarak të organizuar dhe ka marrë pjesë në krime ndaj qytetarëve kroatë dhe hungarezë.
Budac i është dorëzuar një skuadre policore speciale dhe deri në përfundim të procedurave të ekstradimit do të qëndrojë në arrest./abcnews.al