Arrestohet i dyshuari për pakot-bombë

schedule21:52 - 26 Tetor, 2018

schedule 21:52 - 26 Tetor, 2018

Agjentët federalë kanë arrestuar të premten në Florida një person të dyshuar për dërgimin e pakove bombë në adresë të ish-presidentit Obama dhe ish-sekretares së Shtetit, Hillari Klinton. I dyshuari rezulton person me precedentë të shumtë penalë dhe një adhurues i flaktë i presidentit Donald Trump.

Autoritetet federale në Shtetet e Bashkuara arrestuan të premten në Majemi një person në lidhje me pakot-bombë të dërguara gjatë javës ndaj politikanëve demokratë dhe kritikëve të presidentit Donald Trump. Cesar Sayoc, 56 vjeç, rezulton person me precedentë penalë për dhunë në familje, vjedhje dhe një seri krimesh të tjera.

Në një rast ai është akuzuar se ka kërcënuar me vendosjen e një bombe, por për çështjen nuk ka detaje. Furgoni i tij, i sekuestruar nga autoritetet në qytezën Plantejshën, mbante postera dhe stema të shumta që tregonin mbështetjen për presidentin Donald Trump, si dhe të tjera kundër rrjetit informativ CNN dhe që vinin në lojë ish-sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton.

Sayoc rezulton se ka edhe një profil në rrjetin social Facebook, të pasur me foto dhe video të tij në mitingjet e presidentit Trump. Gjithashtu, i dyshuari është pronar i disa bizneseve. Duke folur për arrestimin e tij nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Trump vlerësoi punën e agjentëve federalë, të cilët sipas tij me shpejtësi arritën të gjenin “gjilpërën në mes të kashtës”.

“Këto akte terroriste janë të neveritshme dhe nuk kanë vend në Shtetet e Bashkuara. Ne do t’i hetojmë dhe gjykojmë ato deri në fund dhe nuk do të lejojmë që dhuna politike të rrënjoset në vendin tonë”, tha Trump.

Komentet e tij bien ndesh me ato të bëra më herët në profilin e tij në Twitter, se incidentet, të cilat i cilësonte “punë bombash”, po dëmtonin pozitën e republikanëve në zgjedhjet për Kongresin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!