Pesë persona të nacionalitetit serb janë arrestuar në afërsi të Prishtinës këtë mes jave, nën dyshimet për “kërcënime, presion dhe shantazh” ndaj vullnetit të lirë të votuesve, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të muajit të ardhshëm.
Arrestimet kanë nxitur reagime nga Serbia, përmes Listës Serbe.
Zyrtari i saj, Igor Simiç, në konferencë për shtyp tha se janë arrestuar drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore, dhe se në këtë drejtpërdrejt “ka marrë pjesë Nenad Rashiç”.
Ndërsa Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se i kishte njoftuar të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe të dërguarin e BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen, për këto arrestime, duke iu kërkuar “të angazhohen urgjentisht në këtë çështje”.
Vetë Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se personat u ndaluan për “cenim të vullnetit të lirë të votuesve në Graçanicë”, komunë me shumicë serbe në Kosovë.
Për shkak të arrestimeve, serbët në komunën e Gracanices kanë protestuar.
Këto arrestime ndodhën pasi ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, akuzoi Listën Serbe për “presion” dhe “frikësim” ndaj mbështetësve të tij, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente të Kosovës që të reagojnë.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lista Serbe do të ketë si kundërshtar të vetëm partinë e Rashiç, i cili ka qenë dy herë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Albin Kurtit.
Brukseli pret që zgjedhjet e qershorit të jenë të rregullta duke nënkuptuar edhe shmangien e tensioneve në komunat veriore.


