Arrestohen pesë persona të dyshuar për vepra terroriste në Kosovë

schedule15:57 - 15 Maj, 2023

schedule 15:57 - 15 Maj, 2023

Autoritetet në Kosovë njoftuan se kanë arrestuar pesë persona, që dyshohet se kanë kryer vepra terroriste.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 15 maj është kryer një aksion në gjashtë lokacione në rajonin e Pejës, Prishtinës dhe Gjilanit, ku janë arrestuar pesë të dyshuarit.

Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale: “Shtytje në kryerjen e veprës terroriste” dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Autoritetet identifikuan të arrestuarit përmes inicialeve të tyre: L.B., B.V., E.B., A.H. dhe A.S. Megjithatë, autoritetet nuk dhanë detaje se kur janë kryer veprat e lartcekura.

Gjatë operacionit, sipas Policisë, janë sekuestruar prova dhe dëshmi që kanë të bëjnë me rastin përfshirë tri revole, një armë automatike e llojit AK-47, një armë rekreative pneumatike, si dhe pajisje elektronike.

Të arrestuarit janë dërguar në ndalim policor prej 48 orësh.

Policia tha, po ashtu, se të arrestuarit edhe më herët kishin qenë të përfshirë në vepra të tjera penale të kryera në rajonin e Pejës./rel