Njëzet e tetë persona, nëntë prej të cilëve të huaj, janë arrestuar këtë të martë kur policia po dëbonte studentët që pushtuan Fakultetin e Drejtësisë në Athinë “në shenjë solidariteti me Palestinën”, njoftoi policia.
Ndaj të arrestuarve rëndon akuza e prishjes së rendit publik, dëmtimit dhe mosbindjes.
Të huajt e arrestuar, një spanjolle, tre franceze, dy gjermane, dy italiane dhe një britanike nuk kanë asnjë lidhje me Fakultetin e Drejtësisë në Athinë, tha policia.
Gjithashtu, policia konfiskoi helmeta, shtylla dhe pankarta.
Muajt e fundit, në Athinë janë mbajtur demonstrata të shumta pro-palestineze, kryesisht me ftesë të grupeve të majta, për shkak të vazhdimit të luftës në Rripin e Gazës, por ato nuk u pasuan nga trazira të mëdha. Përveç lëvizjes pro-palestineze në universitetet amerikane, studentët pushtuan dhe bllokuan edhe ambiente në universitete në disa qytete të Evropës, në Paris, Berlin, Këln, Zvicër dhe disa nga ato tubime u shpërndanë nga policia./abcnews.al