Arrestimi për vrasjen e biznesmenëve në Laç, nëna e Xhepajt flet në ABC News: Djali i pafajshëm

schedule15:46 - 29 Qershor, 2020

schedule 15:46 - 29 Qershor, 2020

Ilir Xhepaj (Lika) është arrestuar dy ditë më parë pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e dyfishtë të dy biznesmenëve në Laç.

Ndërkohë ditën e sotme ai ka dalë përpara togave të zeza të Kurbinit për tu njohur me masën e sigurisë. Këto të fundit vendosën që Lika duhet të qëndrojë në burg.

Nëna e Ilir Xhepaj, ka folur për Abc News dhe ka deklaruar se Iliri, djali i saj, nuk ka gisht në vrasjen ndaj dy biznesmenëve në Laç.

Sipas nënës së tij, Xhepa ka alibi, atë ditë ai ka qenë tek tezja e tij në Bulqizë.

Nëna e Xhepës ka deklaruar se vendimi do të ankimohet dhe se do e ndjekë çështjen deri në fund.

Më tej ajo thekson se ditën e arrestimit Xhepaj është dhunuar, dhe për pasojë tani ka edhe probleme shëndetësore.

Pyetje: Çfarë dini për rastin e djalit tuaj?

Nëna e Ilir Xhepaj: Dua të them se djali im nuk ka gisht në këtë punë. Për plagosjen e Zef Markut ato duhet ta dinë ku është arsyeja se kanë ardhur nga Lezha prej 10 vjetësh. Për 2 viktimat e Laçit, po ti ketë vra këta, ai duhet të merrte hakën e nanës e babës së vet se jena kalb nëpër burgje, na kanë shkatërru, ndaj kam ikur në Tiranë, prej ktyne. Fajtorin ta kërkojnë atje ku është për tu kërkuar, jo te djali im. Djali im nëse ka gisht në këtë ngjarje të vari veten në qendër të Laçit. Djali ka qenë atë natë në Bulqizë, te motra ime.

Pyetje: Keni deklaruar versionin tuaj që djali juaj nuk ka gisht në këtë ngjarje?

Nëna e Ilir Xhepaj: Po e kam deklaruar, dhe do bëj denoncim sepse ma kanë dhunuar djalin atë natë që e kanë kapur. Djali ka probleme shëndetësore. Unë jam e sigurt te fëmija im, që nuk ka gisht në këtë punë. Unë kërkoj drejtësi ndaj fëmijës tim, mos të më mundojnë sepse jam shumë e varfër. Jam shumë e sigurtë për djalin tim. Unë do ta ndjek në çdo hap deri sa të kem drejtësi për djalin.

Ilir Xhepaj, 33 vjeç, akuzohet se është një nga bashkëpunëtorët e Eduart Lamajt për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit në Laç.

Për këtë ngjarje, deri tani të arrestuar janë Eduart Lamaj, Kreshnik Tusha dhe Ilir Xhepaj në operacionin e koduar “Ndjekja”. Ndërkohë në kërkim për vrasjet e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit vijojnë që të jenë Elson Aliaj dhe Klaudio Perkola./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!