Gjykata e Posaçme pranoi këtë të hënë kërkesën e avokateve të Rexhep Rapit njohur si Kep Arapi për të caktuar ekspert mjekoligjor që të kryejnë ekspertizën mjekësore të tij.
Gazetari Ermal Vija tha për “ABC News” se Arapi pretendon se ka probleme shëndetësore dhe se nuk mund të qëndrojë i izoluar në qeli pasi mund ti rrezikohet jeta.
Rexhep Rapi, nipi i tij Algert Rapi, Devi Gjermëni dhe ish-shefi i Krimeve Dedan Gjoni dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin siguruar kushtet për të kryer vrasjen e Xhevdet Plakut njohur si “Akili”, në Durrës.
Kush është Kep Arapi?
Arapi, i njohur ndryshe edhe si i “forti” i Sukhi është një emër i njohur për policinë. Arapi dyshohet se ka qenë i përfshirë në një tentativë vrasjeje së bashku me Dedan Gjonin në kohën kur ky i fundit ishte pjesë e policisë së Durrësit.
Ndaj tij rëndojnë një sërë akuzash nga “organizimi i emigracionit të paligjshëm”, drogë, grup i strukturuar kriminal, por ka edhe dosje të tjera që kanë të bëjnë në lidhje me pronat në Gjirin e Lalzit.
Arapi u arrestua në Mars të këtij viti në Rinas, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Apelit Genova, e ka dënuar në mungesë me 7 vjet burgim, për veprën penale “organizimi i emigracionit të paligjshëm”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur dhe 4 vjet.
Në Korrik të vitit 2021, Arapi u arrestua për armë pa leje. Ai u arrestua në lokalin në pronësi të tij në Maminas. Në mars 1991, Arapi u akuzua për vrasjen e një personi për gjakmarrje. Më vonë u lirua për mungesë provash.
/abcnews.al/