Këtë mëngjes qytetarët që vijnë nga Greqia drejt Shqipërisë janë hasur me orë të gjata pritjeje. Pala greke operon me dy sportele ndërsa punojnë vetëm 3 doganiere ( femra) të sjella këtu nga Dogana e Kakavijës. Ndërsa në PKK të Qafë Botës pala shqiptare operon me 3 sportele.
Kaosi në Qafë-Botë është krijuar pas arrestimit të 14 doganierëve grekë, 7 doganierë meshkuj dhe 7 doganiere femra, mes tyre edhe shefi. Doganierët grekë u arrestuan në kuadrin e një grupi të organizuar kriminal të akuzuar për rushfet pasiv në bashkëpunim. Dosja e çështjes përbëhet nga mbi 2,000 faqe dhe përfshin materiale video dhe fotografike, së bashku me biseda të regjistruara të të akuzuarve mes tyre dhe me persona të tjerë.
Në njoftimin e Policisë thuhet se u shkatërrua një grup kriminal i përbërë nga punonjës të Autoritetit Doganor, të cilët merrnin përfitime të padrejta financiare për moskryerjen e kontrolleve.
/ abcnews.al


