Kina ka paralajmëruar Kanadanë se do të përballet me pasoja serioze nëse nuk liron shefen ekzekutive të “HUA UEI”, që u arrestua javën e kaluar në Vankuver. Pekini zyrtar e konsideron arrestimin e Meng UANZHOU një aferë të inskenuar nga Shtetet e Bashkuara.
Kina i ka kërkuar Kanadasë lirimin e drejtueses së gjigandit kinez të telefonisë “HUA UEI”, ndryshe do të përballet me pasoja. Për të përcjellë mesazhin, zëvendës ministri i Jashtëm kinez ka thirrur në zyrën e tij ambasadorin kanadez në Pekin, të cilit i ka dorëzuar edhe një notë proteste. Përfaqësuesi i qeverisë kineze e ka cilësuar arrestimin e Meng Uanzhou një aferë të pistë dhe ka insistuar se ajo nuk ka bërë asnjë shkelje. Zonja Meng, e cila mban postin e shefes së financave dhe është e bija e themeluesit të “HUA UEI”, akuzohet për shkelje të sanksioneve të vendosura ndaj Iranit. Ajo u ndalua të shtunën e kaluar në Vankuver dhe rrezikon ekstradimin në Shtetet e Bashkuara, ku mund të përballet me 30 vjet burg nëse shpallet fajtore.
Të premten Meng u paraqit në seancën gjyqësore të mbajtur në një gjykatë kanadeze, e cila e caktoi për të hënën vendimin nëse miliarderes do t’i lejohet lirimi kundrejt garancisë financiare. Pala amerikane e akuzon menaxheren se ka përdorur një kompani vartëse të “HUA UEI”, “SKAJ KOM”, për t’u shpëtuar sanksioneve të vendosura ndaj Iranit në periudhën 2009-2014. Por pala kineze pretendon jo vetëm që kjo nuk është e vërtetë, por insiston se zonjës Meng i janë shkelur të drejtat në momentin e arrestimit, teksa ndërronte avionët në aeroportin e Vankuverit. “I bëjmë thirrje palës kanadeze që ta lirojë menjëherë, ndryshe shteti kanadez duhet të pranojë përgjegjësinë për pasoja serioze”, thuhet në notën e protestës të Pekinit./abcnews.al