“Arrestimi i Belerit nuk është as çështje politike, as e të drejtave të njeriut”, Xhaçka flet pas takimeve në Bruksel

schedule10:03 - 23 Maj, 2023

schedule 10:03 - 23 Maj, 2023

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka ka dhënë detaje në lidhje me takimet e zhvilluara në Bruksel një ditë më parë, ku si fokus ishte thellimi i dialogut midis BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Xhaçka është shprehur se në këtë takim është bërë e qartë edhe një herë qëndrimi i përbashkët për izolimin e Rusisë në agresionin e saj të paligjshëm dhe detyrimi për të siguruar përgjegjësinë dhe llogaridhënien për aktet mizore prej më shumë se një viti ndaj popullit ukrainas.

Qëllimi i takimit ishte thellimi i dialogut midis BE dhe vendeve tona për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, në kuadrin e rëndësisë gjithnjë e më të madhe që BE po na kushton në kontekstin aktual gjeopolitik.

Diskutuam mbi nevojën e ruajtjes së unitetit evropian dhe mbështetjen pa rezerva për Ukrainën, respektimin e parimeve ku bazohet siguria jonë e përbashkët evropiane dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

Sot në Bruksel u bë i qartë edhe një herë qëndrimi i përbashkët për izolimin e Rusisë në agresionin e saj të paligjshëm dhe detyrimi për të siguruar përgjegjësinë dhe llogaridhënien për aktet mizore prej më shumë se një viti ndaj popullit ukrainas.

Shqipëria rikonfirmoi pozicionin e saj të palëkundur për linjëzimin e plotë me vendimet e Bashkimit Evropian, duke u bërë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbrojtëse e vlerave të përbashkëta evropiane, gjë për të cilën u përgëzuan edhe nga përfaqësuesi i lartë Borrel dhe nga vendet anëtare të BE”, deklaroi Xhaçka.

Ndër të tjera në prononcimin e saj ministrja u shpreh se në këtë situatë që ndodhet vendi është e rëndësishme që stabiliteti dhe siguria në rajonin tonë marrin një rëndësi të shtuar.

Shpreha vlerësimin për rigjallërimin e procesit të zgjerimit, por duke theksuar nevojën që të ruhet ritmi me veprime konkrete nga ana e BE. Nga pikëpamja jonë kjo do të thotë, së pari përparim në procesin e negociatave, duke hapur këtë vit negociatat për grupin e parë të kapitujve.

Së dyti, stabiliteti kërkon rritje ekonomike në vendet tona. Reformat që Shqipëria ka ndërmarrë janë kyç për rritjen ekonomik,e por na nevojitet një mbështetje më domethënëse e Bashkimit Evropian, përmes rritjes dhe rikonceptimit të asistencës financiare.

Së treti, në situatën e pasigurt gjeopolitike ku ndodhemi, kërkova mbështetje për forcimin e kapaciteteve tona për tu përballur me sfidat e kohëve që po jetojmë. Kjo përfshin sidomos mbrojtjen kibernetike”, tha ministrja Xhaçka.

Xhaçka ka dhënë detaje dhe në lidhje me takimin që ajo ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias në lidhje me arrestimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës për çështjen Beleri.

Me kolegun Dendias pata një takim të mirë, i cili ishte një mundësi për të diskutuar nga afër çështjen. E urova për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e djeshme dhe i shpreha dëshirën tonë të sinqertë që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për çështjen Beleri, të mund të vazhdojmë bashkëpunimin tonë miqësor për të cilin kemi hapur tashmë një faqe të re. Kolegu Dendias paraqiti qëndrimin e tij dhe unë bëra shumë të qartë qëndrimin tonë se kjo nuk është as çështje politike dhe as çështje e të drejtave të njeriut. Është çështje e respektimit të ligjit për çdo qytetar shqiptar. Është çështje e luftës kundër fenomenit të blerjes së votës, si një prej rekomandimeve kryesore të OSBE-ODIHR. Ashtu si Shqipëria, edhe Greqia në respekt të ligjit kreu arrestime pikërisht për akuza për blerje vote.Pra, kemi të bëjmë me një çështje që i përket gjyqësorit dhe ku nuk ka vend për ndikime politike nga brenda e jashtë Shqipërisë. Për pavarësinë e gjyqësorit ne jemi investuar në mënyrë serioze sikundër është investuar edhe Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare”, deklaroi ministrja e Jashtme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!