Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka falenderuar kreun e SPAK, Arben Krajën. Në një postim në rrjetet sociale, Kim shkruan se e ka falenderuar Krajën për arrestimet e bujshme të fundit në Gjykatën e Krujës.
Ndër të tjera, Kim shprehet se Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e lehtë, por po jep rezultate.
“Takova Arben Krajën, një vit më parë. Sot e telefonova për të shprehur falënderime dhe inkurajim për hetimet, arrestimet dhe dënimet e fundit të SPAK. Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por ne shohim rezultate që tani. Le të vazhdojmë të ecim përpara së bashku hap pas hapi”, shkruan Yuri Kim.
Lexo edhe: “Është tip arnauti ai”, dalin përgjimet në gjykatën e Krujës si e quanin avokatin
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme 10 personave u arrestuan dje pasi dyshohet se kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale.
Mes të arrestuarve janë gjyqtarja Enkeleda Hoxha, avokati Aldo Tabaku si edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi. g.v/abcnews.al