Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Policia e Shtetit, arrestoi mbrëmjen e të 26 prillit, zyrtarin e Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës, Dritan Stokën, si dhe Agim Osmanin, kryeplakun e Lagjes së Re në zonën e Saukut në kryeqytet. Dy të arrestuari dyshohen nga SPAK, për korrupsion zgjedhor gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Për këtë hetim të SPAK, në arrest shtëpie është vendosur edhe Alqi Hajdini 47 vjeç, ish jurist i ALUIZNI-t, ndërsa Ylli Barutit I është komunikuar masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
Sipas SPAK, Dritan Stoka, dheAgim Osmani, ka dyshime të bazuara në prova, se kanë kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, duke kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të personave që do të merrnin pjesë në zgjedhje, duke i detyruar për të votuar ose përcaktuar mënyrën e votimit.
Këto lista kërkoheshin kundrejt përfitimeve të parregullta, për qëndrim në punë ose dhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë.
Gjithashtu Dritan Stoka dhe Agim Osmani, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të disa personave. Të dy këta persona kanë dalë në përgjimet telefonike të SPAK, teksa komunikojnë dhe u kërkojnë disa qytetarëve votat.
Për personat nën hetim Alqi Hajdini dhe Ylli Baruti, SPAK, thotë se në bashkëpunim me njëri tjetrin, duke kërkuar para, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të 4 personave në zonën e SAUKUT.
Nga ana tjetër Prokuroria e Posaçme, po vijon hetimet pasi ka dyshime se të përfshirë në këtë procedim penal janë edhe persona të tjerë./abcnews.al