“Arrestime, por edhe konfiskime”/ Raporti për Shqipërinë: Progres, por duhet më shumë

schedule18:20 - 30 Tetor, 2024

schedule 18:20 - 30 Tetor, 2024

Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në reformat themelore, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi, është konkluzioni i progres raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Këtë e konfirmoi dhe Komisioneri për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, duke e lidhur progresin me hapjen e grup-kapitullit për integrimin.

“Kemi hapur grupkapitullin e parë me Shqipërinë. Mendoj se është një përkushtim i jashtëzakonshëm me shtetet e përfshira.”, tha Oliver Varhelyi.

Progres raporti i Komisionit Europian jep detaje të këtij progresi që lidhen me reformën në drejtësi dhe veprimet e SPAK, sidomos në goditjen e korrupsionit në nivel zyrtarësh të lartë.

Struktura e Specializuar për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve të Organizuara (SPAK) ka vazhduar të japë rezultate të mira duke avancuar në ndjekjen penale dhe investigimin e rasteve komplekse të korrupsionit, duke përfshirë politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë, si dhe raste që lidhen me mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.“, thuhet në progres raport.

Pavarsisht vlerësimit pozitiv që jep për SPAK, në progres raport citohet se “në përgjithësi, korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe përpjekjet parandaluese kanë pasur një ndikim të kufizuar”. Në këtë drejtim pritshmëria dhe kërkesat e Brukselit janë më të larta në aspektin e veprimit të drejtësisë kundër korrupsionit. Dhe për këtë, rekomandon më shumë rezultate gjatë vitit të ardhshëm.

“Të forcojë investigimin, ndjekjen penale, gjykimin dhe dënimin përfundimtar për rastet e korrupsionit, veçanërisht në nivele të larta, duke përfshirë konfiskimin përfundimtar të aseteve kriminale që rezultojnë nga veprat penale të lidhura me korrupsionin, dhe të rrisë referimet proaktive të institucioneve përkatëse shtetërore dhe agjencive të zbatimit të ligjit në SPAK.”

Në progres raport evidentohen dhe çështje të tjera që nuk janë përmbushur plotësisht, siç është dhe reforma zgjedhore që pavarësisht se u miratua në parlament me konsensus, sërish nuk adreson rekomandimet e OSBE-ODIHR. Gjithashtu përmendet bllokimi i Parlamentit nga opozita dhe evidentohet se Mbikëqyrja e Parlamentit mbi ekzekutivin mbetet i kufizuar./abcnews.al