Policia franceze ka kryer disa arrestime në kuadër të hetimeve për akuzat për abuzim seksual dhe trafikim të qenieve njerëzore ndaj Mohamed Al Fayed, ish-pronarit të dyqanit të famshëm Harrods dhe hotelit luksoz Ritz.
Sipas Policisë Metropolitane të Londrës, më 13 dhe 14 tetor janë kontrolluar tri prona, mes tyre edhe hoteli Ritz në Paris, ku dyshohet se kanë ndodhur disa prej abuzimeve të pretenduara. Kontrollet janë kryer në bashkëpunim mes autoriteteve franceze dhe britanike, ndërsa në operacion kanë marrë pjesë edhe hetues nga Britania e Madhe.
Përveç hotelit Ritz, kontrollet janë zhvilluar edhe në vilën Sainte-Thérèse në Saint-Tropez, një pronë që më parë i përkiste Al Fayed, si dhe në vilën Windsor në Paris.
Autoritetet franceze bëjnë me dije se disa persona të dyshuar janë shoqëruar në polici dhe janë marrë në pyetje. Pas marrjes në pyetje, masat e ndalimit janë hequr, ndërsa hetuesit po analizojnë materialet digjitale të sekuestruara gjatë kontrolleve. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Parisit.
Këto janë arrestimet e para të kryera në lidhje me akuzat ndaj Al Fayed, i cili u përball me pretendime për abuzime seksuale nga më shumë se 20 gra në një dokumentar të BBC-së, të publikuar në shtator të vitit 2024.
Disa prej grave kanë deklaruar se janë sulmuar seksualisht nga ish-biznesmeni në pronat e tij në Paris. Njëra prej tyre pretendon se është abuzuar në hotelin Ritz, ndërsa një tjetër ka deklaruar se është përdhunuar në vilën Windsor.
Pas publikimit të këtyre dëshmive, më shumë se 400 gra dhe persona të tjerë që pretendojnë se janë viktima ose dëshmitarë të ngjarjeve i janë drejtuar avokatëve.
Grupi që përfaqëson viktimat e Al Fayed dhe Harrods ka përshëndetur zhvillimet e fundit, duke vlerësuar bashkëpunimin mes policisë britanike dhe asaj franceze. Përfaqësuesit e tij kërkojnë që të gjitha pronat që kanë qenë në zotërim të Al Fayed të kontrollohen me të njëjtin kujdes, në mënyrë që të mos humbasë asnjë provë e mundshme.
Ndërkohë, organizata “No One Above”, e cila mbështet viktimat, ka kërkuar që hetimin ta marrë në dorë Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani. Sipas saj, autoritetet franceze po e trajtojnë çështjen si një rast të mundshëm të trafikimit të organizuar të qenieve njerëzore, ndërsa viktimat në Britani presin ende përparim të mëtejshëm në hetime.


