Dhjetë efektivë policie janë në hetim nga prokuroria e Tiranës për shpërdorim detyre, tre prej të cilëve janë arrestuar në kryeqytet dhe një është lënë në arrest shtëpie. Në Korçë janë pezulluar dy shefa, i komisariatit dhe qarkullimit dhe katër policë.
Por si u zbuluan dhe për cfarë akuzohen?
Gazetarja e “ABC” Lediona Xheladinaj raporton se prokuroria dhe SHÇBA vepruan pas informacioneve se punonjësit e policisë së qarkullimit Korçë lejonin apo toleronin persona që transportonin emigrantë të paligjshëm.
Nuk kryheshin kontrolle tek automjetet e dyshuara. Shmangeshin kontrollet në akset ku dyshohej kalimi i trafikantëve. Po i njëjti burim tha se nga përgjimet është mësuar se punonjësit nuk kryenin kontrolle në disa lokale në qytetin e Korçës duke lejuar shkeljen e orës policore.
Efektivët kanë qenë në vëzhgim prej dy muajsh, ku në “rrjetë” ranë edhe kolegët e tyre të Tiranës. Por nuk mbaron këtu. Një burim nga drejtoria e Policisë së Korçës i tha “ABC”-së se pritet që të ketë arrestime të tjera në vazhdim.
Po i njëjti burim theksoi se “është urdhër i drejtorit të përgjithshëm të policisë që të mos ketë asnjë tolerim për cilindo që shkel ligjin dhe abuzon me detyrën”. Hetimet për dosjen janë kryer nga prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me SHÇBA.
Të pezulluar nga detyra
- Krenar Gjokutaj me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Korçë.
- Petro Fraholli specialist për qarkullimin rrugor Korçë.
- Klemend Pikuli me detyrë Shef Sektori i Qarkullimit Rrugor në DVP Korçë.
- Genci Hysi me detyrë agjent verifikues pranë Sektorit Qarkullimit Rrugor DVP Korçë.
- Clirim Akrobati me detyrë agjent verifikues pranë Sektorit Qarkullimit Rrugor DVP Korçë.
- Kamber Kllogjeri me detyrë agjent verifikues pranë Sektorit Qarkullimit Rrugor DVP Korçë.
Të arrestuar
- Durim Murja -Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë.
- Jashar Shehu -Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë.
- Arjan Balla -Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë.
Arrest shtëpie
- Matilda Hamolli -Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë.
/db/ Abcnews.al