SHQIPËRI- Zemra nuk po lë vetëm moshën e tretë. Vendi po përballet me një rritje të ndjeshme të humbjeve të jetës si pasojë e arresteve kardiake. Shqetësuese për mjekët mbetet ulja e moshës, ku gjithnjë e më shpesh po preken të rinjtë.
“Vitet e fundit kemi një numër të lartë të arresteve kardiake. Shpesh ndodhin në rrugë, në shtëpi, në punë, apo shpesh neve na ndodhin edhe në urgjencë. Vjen pacienti me dhimbje gjoksi, apo aritmi, dhe në atë momente mund të kryej arrest kardiak. Aq më tepër që shtimi është tek moshat e reja. Në qoftë se, para viteve 2000, djali sillte babain për infarkt apo ndërhyrje koronografike, në kohët e sotme shohim që babai sjell djalin”.
Infarkti nuk është gjithmonë shkaku i një arresti kardiak. Tek të rinjtë, mjeku kardiolog Edjon Hajro thotë se shpesh arresti vjen nga aritmitë malinje dhe patologji të lindura, të cilat nuk zbulohen në kohe.
“Shohim edhe moshat 20-30 vjeç që vijnë me infarkte, por, jo sa herë është ky faktori kryesor i këtyre sëmundjeve. Arresti kardiak, shpesh herë tek moshat e reja është i shkaktuar nga aritmitë malinje, shpe4sh edhe anashkalohen…
Ndër faktorët që rrisin rrezikun, bluzat e bardha krahas kequshqyerjes, abuzimit me alkoolin dhe drogën, theksojnë stresin. Mjekët bëjnë thirrje për kontrolle të rregullta, sidomos për ata me trashëgimi dhe sëmundje kronike.
“Ushqyerja, alkooli, drogat dhe mungesa e kontrolleve ndikojnë shumë. Ata me trashëgimi familjare apo ankth duhet të bëjnë kontrolle periodike.”
Problemet kardiovaskulare dhe ato të zemrës vazhdojnë të renditen në krye të listës së sëmundshmërive në vend, duke u klasifikuar si shkaktarët me numrin më të lartë të vdekjeve në popullatë./abcnews.al

