Një 60-vjeçare ka humbur jetën ditën e sotme në urbanin e Shkodrës. Gazetari i ABC Simon Shkreli, raporton se 60-vjeçarja ka pësuar vdekje natyrale dhe dyshimet janë se mund të ketë pësuar atak kardiak.
Ajo po udhëtonte ne linjën urbane e cila bën rrugën Fermentim-Bahçallëk në momentin kur ka ndërruar jetë. Menjëherë është bërë zbrazja e autobusit, ndërkohë që 60-vjeçarja është dërguar në morgun e spitalit të qytetit.
Ndërkohë po në orët e mesditës është gjetur pa ndjenja një 68-vjeçar në Durrës, i cili ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak gjatë rrugës për në spital.
“Më datë 16.03.2021, në orën 11:50, në lagjen nr. 16, Durrës, nga punonjësit e urgjencës së Spitalit Rajonal Durrës është marrë në rrugë, pa ndjenja, shtetasi S. P., rreth 68 vjeç, i cili gjatë transportimit për në spital ka ndërruar jetë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ky shtetas ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia./mv.abcnews.al