TIRANË- Të martën, i paraburgosuri Altin Ndoci, arriti të arratiset nga spitali i qytetit të Durrësit. Kjo ngjarje shkaktoi reagime të shumta, ndërsa autoritete ligjzbatuese vendosën të shkarkojnë të gjithë zinxhirin, i cili duhet të garantonte sigurinë për transportimin në kushte të rrepta sigurie
I ftuar në emisionin “Tirana Live”, eksperti i sigurisë Fatjon Softa u shpreh se arratisja nuk ishte aspak rastësore, por e mirëllogaritur dhe e organizuar.
Sipas tij, Ndoci është fizikisht i fuqishëm dhe vështirë se mund të ndalohej nga efektivët në kushtet në të cilat ndodhej.
Eksperti ngriti pikëpyetje edhe mbi faktin pse është përdorur një autoambulancë për transportin e tij drejt spitalit dhe pse nuk është njoftuar Policia e Shtetit për masa shtesë sigurie.
Ai theksoi se protokollet janë strikte dhe parashikojnë minimumi tre punonjës shoqërues, të pajisur me mjete mbrojtëse, sidomos kur bëhet fjalë për persona të akuzuar për vepra të rënda penale si vrasja dhe përfshirja në grup të strukturuar kriminal.
“Nëse punonjësit e sigurimit, duhet të ketë radio dhe jepet sinjali, autori u arratis, shihet drejtimi i mundur, salla operative njofton pikat e patrullës, në mënyrë të tillë që një automjet me këtë targë të bllokohet.
Pse ishte një autoambulancë. Nuk mund të shkojnë me autoambulancë, e dyta, pse nuk është njoftuar Policia e Shtetit për masa shtesë. Pa pranga ai mund të ishte ikur që në atë moment.
Nuk është neglizhencë, sepse protokollet e sigurisë janë strikte. Minimumi absolut janë tre persona dhe në kushte të përforcuar, personi përcaktohet mbi bazën e akuzave penale, që akuzohet për vrasje dhe grup të strukturuar kriminal. Grupi shoqërues duhet të ishte me antiplumb”, tha ai.
Ai theksoi se liria e Ndocit mund të përbëjë rrezik për ato dëshmitarë, të cilët janë në proces kundër tij.
“Më shumë forca kanë vajtur për të hequr plastmasat e Adriatik Lapajt, sesa tek ky person, me rrezikshmëri të lartë. Nuk mund t’i hiqeshin prangat autorit. Ai person mund të ketë dhe dëshmitarë në çështjen e tij. Si mund të ndihen dëshmitarët që janë në proces kundër tij”, tha ai./abcnews.al


