ABC News siguron dosjen hetimore të arratisjes së Altin Ndocit, nga spitali i Durrësit, shoqërimi i të cilit sic thuhet në dosje është vlerësuar me risk standard nga komisioni i vlerësimit të burgut.
Sipas materialit zyrtar, shoqërimi i të paraburgosurit nga IEVP Durrës drejt Spitalit Rajonal ishte planifikuar nga strukturat përkatëse (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ligjor), me itinerar vajtje–ardhje brenda së njëjtës ditë. Transporti u krye me autoambulancën e IEVP-së, tip FIAT, me targa AB 141 OU.
Fillimisht, Altin Ndoci u dërgua në pavionin e Infektivit, ku ai shfaqi ankesa për dhimbje dhe u shoqërua në një dhomë izolimi në katin e tretë, e përshtatur me zgara hekuri. Për sigurinë e tij ishin caktuar punonjësit e Policisë së Burgjeve Sali Ferrollari dhe Fation Baçi, ndërsa një pjesë e grupit shoqërues ishte larguar.
Gjatë kohës së pritjes për trajtim mjekësor, mjekët rekomanduan mjekim dhe rikontroll pas dy orësh. Ndërkohë, i paraburgosuri ka kërkuar disa herë të shoqërohej në tualet, ku sipas raportit është dërguar rreth katër herë.
Ngjarja ka agravuar në momentin kur, sapo është hapur zgara e dhomës për ta shoqëruar sërish në tualet, Altin Ndoci ka goditur me grusht në kraharor punonjësin e policisë Fation Baçi. Si pasojë, Baçi është rrëzuar mbi kolegun e tij Sali Ferrollari dhe të dy kanë përfunduar në tokë.
I paraburgosuri ka përfituar nga situata dhe është larguar me vrap nëpër korridoret e spitalit. Dy efektivët kanë tentuar ta ndjekin, por gjatë ndjekjes Fation Baçi ka rrëshqitur në shkallë. Pavarësisht kësaj, ndjekja ka vazhduar deri në dalje të spitalit.
Në dalje kryesore, punonjësi i policisë ka qëlluar një herë me armë shërbimi në tokë për ta frikësuar dhe detyruar të dorëzohej, por i arratisuri ka vijuar largimin. Banorë të zonës kanë deklaruar se ai është larguar në drejtim të kodrave me një automjet të zi me targa AA 700 RS.
Tentativat për të njoftuar numrin 129 kanë rezultuar pa përgjigje, ndërsa më pas është njoftuar Shërbimi i Informacionit në IEVP Durrës.
Nga hetimet paraprake rezulton se procedura e përgatitjes së dokumentacionit shëndetësor për vizitën në spital, e kryer nga infermieri dhe përgjegjësja e sektorit shëndetësor në IEVP Durrës, ka qenë në kundërshtim me Ligjin nr. 81/2020 dhe VKMsë nr. 209, pasi vizita mjekësore ishte planifikuar pa u kryer më parë kontrolli mjekësor i detyrueshëm brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.


