Arratisja e bujshme, si mundi që të kalonte kufirin ministri?

schedule08:18 - 10 Nëntor, 2021

schedule 08:18 - 10 Nëntor, 2021

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të gjeneral-major Panajot Plakut me origjinë nga fshati Hoçisht i Devollit të Korçës, i cili pasi u diplomua në shkollën “Normale” të Elbasanit në vitin 1936, u kthye në qytetin e Korçës ku u lidh me grupet komuniste dhe në periudhën e pushtimit të vendit 1939-1944, ai u angazhua në Lëvizjen Antifashiste dhe për aktivitetin e tij u arrestua e u burgos nga autoritetet italiane në qytetin e Durrësit e pasi u lirua, doli në radhët partizane, duke u emëruar si zëvendës komisar i Brigadës së Parë Sulmuese të komanduar nga Mehmet Shehu, që me formimin e saj në gushtin e vitit 1943, në fshatin Vidhkuq të Korçës. Si i ngjiti shkallët e karrierës ushtarake Panajot Plaku pas mbarimit të Luftës, duke filluar nga komisar dhe komandant Divizioni në rrethin e Korçës, komandant Korpusi, Drejtor i Drejtorisë Operative dhe zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore me gradën e gjeneral-major, zv/ ministër i Mbrojtjes Popullore për Drejtorinë e Kufirit, e deri tek posti i ministrit pa Portofol në qeverinë që kryesohej nga Mehmet Shehu?

Si mundi të arratisej nga Panajot Plaku nga Shqipëria në qershorin e vitit 1957 (kur mbante funksionin e ministrit pa portofol dhe Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Gjeologjinë) duke kaluar fshehurazi kufirin shtetëror në afërsi të liqenit të Pogradecit nga fshati Lin dhe të dilte në Jugosllavi, ku u vendos në Beograd si azilant politik dhe i dërgoi një letër udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, duke denoncuar të gjitha krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij?! Misteri i vdekjes së Panajot Plakut në vitin 1966 në hotelin ku banonte në Beograd dhe çfarë shkruante ai në kujtimet e tij për Enver Hoxhën e udhëheqjen e lartë të PPSH-së, të cilat i përmblodhi për t’i botuar në një libër me titull “Dhuna mbi revolucionin në Shqipëri”, dhe pas vdekjes së tij ai u përkthye edhe në gjuhën serbo-kroate (nga Predrag Vuqiviq, redaktor i gazetës “Borba” dhe Vela Popoviq, redaktor i Televizionit të Beogradit), libër që pati një jehonë të madhe dhe u botua më pas nga Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës në gjuhën shqipe në vitin 1985.

Arratisja e Panajotit në qershorin e ’57-ës!

Po si mundi që të arratisej dhe ku e si e kaloi kufirin shtetëror ministri pa portofol, Panajot Plaku? Çfarë ndodhi me familjen e tij më pas dhe si e detyroi Sigurimi i Shtetit nënë e tij plakë, Kostandinën, që ta mallkonte publikisht të birin e saj në gazetën “Zëri i Popullit”?! Lidhur me këtë, familjarët e Panajot Plakut kanë dëshmuar për autorin e këtij shkrimi, duke u shprehur: “Pasi iku nga shtëpia me makinën dhe shoferin e tij, Panajoti udhëtoi për në rrethin e Pogradecit dhe diku afër Qafë–Thanës, ai u nis në drejtim të kufirit shtetëror me Jugosllavinë. Vajtja e tij në atë zonë kufitare ishte gjoja për kontroll dhe inspektim të minierave, pasi në atë kohë, përveç funksionit të ministrit pa portofol, Panajoti mbante edhe atë të Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Gjeologjinë. Pra, në rast se ai do të diktohej nga forcat e kufirit apo organet e tjera kompetente, se po shkonte në atë zonë kufitare, Panajoti mendonte apo shpresonte se mund të justifikohej për shkak të asaj detyre që kishte për gjeologjinë. Kur u afrua në fshatin Lin në buzë të liqenit të Pogradecit, ai i tha shoferit të tij: ‘Shko pi një kafe, se unë kam pak punë këtu’.

Ndërsa shoferi shkoi për të pirë kafe, Panajoti iku dhe kaloi kufirin shtetëror pa asnjë problem dhe pa i diktuar fare nga rojet e kufirit, pasi ai atë zonë e njihte me pëllëmbë, që kur kishte qenë ushtarak me detyrën e zv/ministrit të Mbrojtjes Popullore, për Kufirin. Të nesërmen e arratisjes së Panajotit, në shtëpinë tonë erdhën njerëzit e Sigurimit të Shtetit dhe morën bashkëshorten e tij, Vjollcën, së bashku me vëllanë e vogël, Koçon dhe i mbajtën për tre ditë duke i pyetur dhe duke u bërë presione të ndryshme. Ata i pyesnin kryesisht nëse kishin pasur dijeni për arratisjen e Panajotit dhe duke i’u kërkuar llogari, se përse e kishin pranuar gjeneral-major Tahir Kadarenë, në varrimin e Kalo Plakut. Koçua me Vjollcën, i’u përgjigjën se ata, nuk mund të ndalonin, apo përzinin dot njeri nga shtëpia, aq më shumë në një ceremoni varrimi! Pas i liruan, sipas urdhrit që i kishin dhënë, Vjollca paraqitej çdo ditë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, që asokohe ndodhej te Selvija. Pas dy tre javësh, të gjithë familjen e Panajotit, i hoqën nga Tirana, (duke i’a sekuestruar të gjitha plaçkat dhe orenditë e shtëpisë) dhe i dërguan në internim në qytetin e Çorovodës”, kujtojnë familjarët e Panajot Plakut, lidhur me të vërtetën e arratisjes së tij në qershorin e vitit 1957, si dhe internimin e familjes.

Persekutimi i familjes Plaku!

Po ç’ndodhi më pas me familjen e Panajot Plakut pas internimit në qytetin e Çorovodës dhe si u trajtua ajo nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës? Lidhur me këtë, ata dëshmojnë: “Pak para se të internonin familjen në Çorovodë, njerëzit e Sigurimit të Shtetit erdhën në familjen tonë dhe e detyruan nënën e Panajotit, Kostandinën, që të firmoste një letër të cilën nuk i’a kishin dhënë as për ta lexuar fare! Atë letër të shkruar nga Sigurimi i Shtetit, ku gjoja nëna plakë, mallkonte të birin, Panajotin, ‘duke i’a bërë haram qumështin e gjirit’, që të nesërmen e botuan në gazetën “Zëri i Popullit”. Në qytetin e Çorovodës, gruan e Panajotit, me tre fëmijët e vegjël dhe nënën plakë, Kostandinën, i sistemuan në një barakë të keqe, kurse Vjollca, ishte e detyruar që të paraqitej tre herë në ditë te Dega e Punëve të Brendshme të atij qyteti. Pasi qëndruan për 11 muaj në atë qytet të vogël dhe të izoluar, familjen e Panajotit e sollën në qytetin e Durrësit, ku përsëri Vjollca paraqitej tre herë në ditë në Degën e Punëve të Brendshme. Po kështu, vetëm dy maj pas arratisjes së Panajotit, dy njerëz të Sigurimit të Shtetit udhëtuan për në Poloni, ku studionte motra e Panajotit, Theodhora (Lola) Katragjini dhe i bënë asaj presion, që ta mohonte vëllanë, por ajo nuk pranoi që të thoshte qoftë dhe një fjalë të vetme të keqe për Panajotin. Si rezultat i atij qëndrimi që mbajti Lola, kur erdhi me pushime në Shqipëri, nuk e lejuan më që të shkonte në Poloni për të vazhduar studimet.

Por udhëheqja e lartë e PPSH-së që komandonte Sigurimin e Shtetit, nuk u mjaftuan vetëm me ndërprerjen e studimeve dhe kthimin e Lolës në Shqipëri, por ajo vazhdoj të ndiqej e survejohej rregullisht nga ‘organet kompetente’ të cilët e arrestuan dhe e mbajtën gjashtë muaj në tortura çnjerëzore. Pas gjyqit të Teme Sejkos në vitin 1961, gruan e Panajotit, Vjollcën, e hoqën nga puna si edukatore kopshti dhe e çuan si punëtore ndërtimi. Po kështu në atë kohë, për Vjollcën u bënë disa mbledhje të posaçme në qytetin e Durrësit nga ana e Sigurimit të Shtetit dhe organizatës së Frontit Demokratik, me qëllim diskreditimin e poshtërimin e saj. Ndonëse fëmijët e Panajotit në atë kohë u ndihmuan disi dhe u përkrahën nga daja i tyre që ishte prokuror në qytetin e Durrësit, persekutimi i tyre nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës vazhdoi deri në vitin 1990, kur ministri i Arsimit i asaj kohe, Skënder Gjinushi, i tha vajzës së Panajotit, Donikës: Ti nuk ke për të marrë kurrë të drejtë studimi për shkollën e lartë, se je vajza e Panajot Plakut”. Kështu kujtojnë familjarët e ish-ministrit pa portofol, gjeneral-major Panajot Plaku, lidhur me kushtet e rënda dhe persekucionin e egër me të cilën u përballën pas arratisjes së tij, bashkëshortja, Vjollca Taja, me tre fëmijët: Donikën, Besnikun dhe Kristaqin, si dhe nëna plakë, Kostandina, me të bijën, Theodhorën!

Letra e ish-ministrit pa portofol, gjeneral-major Panajot Plakut, dërguar udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, në vitin 1957

“Në lidhje me informimin e Partisë dhe të popullit tonë vlen të përmendet se në Shqipëri nuk vjen asnjë gazetë, ose revistë e vendeve të jashtme, me përjashtim të atyre sovjetike; nuk importohet, as nuk shitet madje shtypi i vendeve të demokracisë popullore, e të mos flasim për organet informative të partive komuniste të vendeve të perëndimit. Persekutohen nga ana e Sigurimit të Shtetit si njerëz të padëshiruar, të gjithë ata që dëgjojnë cilindo radiostacion tjetër me përjashtim të Tiranës dhe Moskës.

Para plenumit informativ, një nga anëtarët e delegacionit të qeverisë dhe partisë më tregoi në lidhje me kthimin e delegacionit tonë nga BRSS-ja, si ju keni thënë për Stalinin: “Po të kishte jetuar edhe një apo dy vjet, ne do të mbaronim krejtësisht”.

Mirëpo Enver Hoxha konstatoi me gëzim në plenum, se ju paskeni folur për Stalinin me respekt të madh. Janë me qindra shembuj që tregojë se Partia, jo vetëm që po informohet në mënyrë të dobët, por edhe po dezinformohet.

Çështja e fundit, e cila sipas mendimit tim po parashtrohet në mënyrë të gabuar, janë marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Jam i bindur se qeveria sovjetike dhe Partia Komuniste e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, e parashtrojnë në mënyrë të drejtë çështjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, por në këtë pikëpamje bëhen shtrembërime të mëdha nga ana e njerëzve kryesorë udhëheqës, si Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe disa bashkëpunëtorëve të rëndësishëm të ambasadës sovjetike në Tiranë.

Gjëja më e keqe në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, është fakti se sukseset e popullit të Shqipërisë i vishen ndihmës së Bashkimit Sovjetik! Kjo është bazë e pabarazisë në marrëdhëniet mes dy vendeve, ky është shkaku kryesor që Grigorjevi, Korostovi dhe disa ekspertë të tjerë, ta ndjejnë veten në Shqipëri si padronë me privilegje të pakufishme, si persona të pacenueshëm, që nuk durojnë kurrfarë vërejtjesh ose kritikash nga ana e punëtorëve shqiptarë, me përjashtim të Enverit, të Mehmetit dhe të ndonjë nga personat e tjerë udhëheqës më të lartë.

Enver Hoxha po bën çmos për të dëshmuar besnikërinë e vet të pakufishme ndaj BRSS-së, për ta fshehur dobësinë dhe paaftësinë e vet për aplikimin krijues të përvojave të P.K. të BRSS-së dhe të marksizëm-leninizmit në kushte konkrete të vendit tonë dhe për të siguruar pozitën e vet.

Në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, nuk shoh kurrfarë rreziku nga humbja e pavarësisë së vendit tonë, por shoh një rrezik tjetër, rrezikun e ngecjes dhe të parazitizmit, rrezikun e çrregullimit të marrëdhënieve më miqësore dhe me të vërtetë socialiste mes vendeve tona.

Unë mendoj se vetëm ju jeni në gjendje t’i ndihmoni PPSH-në që të marrë rrugën e drejtë. Unë mendoj gjithashtu se demokratizimi i jetës së partisë është i pamundur në qoftë se do të jetë në ballë të partisë Enver Hoxha, për shkak se edhe për të kaluarën e Enver Hoxhës si udhëheqës, mund të shkruhet një referat i njëjtë sikurse lexuat ju në Kongresin XX të P.K. të BRSS-së për Stalinin.

Jam i bindur se, në sajë të masave që janë ndërmarrë në kohët e fundit dhe të asaj ndihme ekonomike, të cilën P.K. e BRSS-së dhe qeveria sovjetike kanë vendosur t’ia japin Shqipërisë, vendi ynë do të jetë në gjendje në kohën më të afërt të zhvillohet pavarësisht në pikëpamje ekonomike, por është e domosdoshme të eliminohen të gjitha ato shtrembërime që i kanë bërë dhe po i bëjnë faktorët e përmendur në jetën e partisë dhe në udhëheqjen e vendit tonë, me qëllim që në këtë mënyrë Shqipëria të mund të zhvillohet.

Partia e Punës Shqipërisë, ka në dispozicion forca jashtëzakonisht të mëdha, ajo është e lindur dhe farkuar në revolucionin popullor për çlirimin e vendit dhe në luftë kundër të gjitha vështirësive në ndërtimin e socializmit. PPSH-ja dhe tërë populli i Shqipërisë, do të jenë miq të Bashkimit Sovjetik. Këtë miqësi nuk e ka farkuar Enver Hoxha, por ajo është e farkuar në luftën e përbashkët të dy popujve tanë.

Unë jam i bindur se në Shqipëri nuk do të ndodhë asgjë që do t’i ngjante asaj që ndodhi në Hungari dhe për këtë arsye, mendoj se shtrembërimet e përmendura duhet të eliminohen në mënyrë më të guximshme dhe më të vendosur. Unë e di që ju keni bërë përpjekje që t’i ndihmoni udhëheqjes së partisë sonë, duke dërguar në Komitetin Qendror, për një kohë një këshilltar, e gjithashtu edhe duke i dhënë mundësi Enver Hoxhës dhe udhëheqësve të tjerë, që marrin pjesë në këshillimin e Komitetit Qendror tuaj, por unë po flas me bindje të plotë se të gjitha këto kanë ndihmuar fare pak, për shkak se Enver Hoxha ka frikë prej demokracisë partiake si prej zjarrit.

Duhet shtuar se Enver Hoxha nuk është i vetmi kuadër i partisë, i cili ka marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare; nuk është i vetmi mik i BRSS-së, ai nuk është themelues i partisë, si e quajnë! Për këtë arsye, largimi i Enverit nga udhëheqja e partisë, do ta forconte partinë tonë dhe marrëdhëniet e saj me Bashkimin Sovjetik.

Më në fund ju lutem, sikurse i është lutur Kedrovi Andrejevit, shpëtoni nga vdekja e sigurt tre fëmijët e mi, bashkëshorten time, të cilët janë internuar dhe të cilët, në qoftë se i mbajnë atje, me siguri do të vdesin, sepse fëmija im më i madh është 5 vjeç e gjysmë, i mesmi më pak se 4 vjeç, e më i vogli as dy vjeç.

Ju lutem shpëtoni nënën time plakë, të cilën e kanë detyruar të nënshkruajë një deklaratë antinjerëzore, e cila tregon dobësinë e poshtërsinë e Enver Hoxhës dhe të agjentëve të tij, si dhe të Sigurimit të Shtetit.

Ju lutem shpëtoni vëllain tim dhe motrat e mia, të cilët i ndjek dhe survejon Sigurimi i Shtetit dhe të cilëve u kanoset eliminimi fizik. Unë jam i bindur se ju nuk do të lejoni që të bien mbi socializmin njolla të gjakut të fëmijëve të mi, të gruas sime, të nënës, të vëllait dhe të motrave të mia.

Ju siguroj se për ikjen time, nuk ka ditur askush absolutisht asgjë, se askush nuk më ka thënë asgjë në lidhje me vendimin për eliminimin tim. Për këtë arsye, ju lutem që të bëni çmos që keni mundësi që për këtë arsye, të mos e persekutojnë asnjë anëtar të Komitetit Qendror dhe të qeverisë, ose cilindo tjetër.

Duke përfunduar, e shpreh në dy rreshta përmbajtjen e kësaj letre: Shoku Hrushov, ju lutem studioni dhe shpëtoni Partinë e Punës së Shqipërisë.

Ju siguroj se askush nuk më ka bërë diktat nga përmbajtja e kësaj letre dhe se asnjëri nuk më ka shtyrë që ta shkruaj.

Unë kam menduar t’ju shkruaj qysh kur isha në Shqipëri, menjëherë kur u informova për vendimin që të më likuidojnë.

Të gjitha këto që ju shkrova, i kemi përjetuar unë dhe tërë partia ime. Jam i bindur se kjo letër imja do t’i japë kontribut normalizimit të gjendjes në partinë dhe në vendin tim”. Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!