Armët për Ukrainën, vazhdon presioni ndaj kancelarit Scholz

schedule10:33 - 20 Prill, 2022

schedule 10:33 - 20 Prill, 2022

Kancelari gjerman, Olaf Scholz e mbështet dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë nga NATO. Por ato nuk do të vijnë drejtpërdrejt nga Gjermania. Nga koalicioni qeverisës dhe opozita vijnë kritika.

Megjithëse kancelari gjerman, Olaf Scholz u shpreh të martën pas një videkonference me shtetet perëndimore të G7-s, se Gjermania dhe partnerët perëndimore do t’i japin Ukrainës armë të rënda kundër trupave pushtuese ruse dhe se “Rusia nuk duhet ta fitojë këtë luftë”, sërish vazhdojnë kritikat brenda radhëve të koalicionit qeverisës në Gjermani. Politikanit të Gjelbër, Anton Hofreiter dhe politikanes liberale, Marie-Agnes Strack-Zimemrman këto deklarata të kancelarit nuk i mjaftojnë. Hofreiter u shpreh se “mbështetja e vendeve partnere për dërgimin e armëve që bëri të ditur Olaf Scholz është një hap në drejtimin e duhur, por ai nuk mjafton.” Tani ka rëndësi që Ukraina të marrë shpejt armë të rënda, tha Hofreiter për portalin “Redaktionsnetzwerk Deutschland”.

Edhe politikanja liberale Strack-Zimmermann e përshëndeti faktin që Scholz e mbështet propozimin për dërgimin e armëve menjëherë të përdorshme për Ukrainën, që Gjermania do ta kompensojë pastaj. “Për lirinë dhe të drejtat njerëzore duhet luftuar, ato nuk janë dhuratë. Për këtë u tha shumë pak konkretes sot”. Edhe opozita e CDU/CSU e kritikoi Scholz. “Shumë pak, shumë vonë”, shkroi zëvendëskreu i grupit parlamentar të CDU Johan Wadepfuhl. “Gjermania nuk furnizon edhe më tej armë të rënda, që do të thotë se e le Ukrainën në baltë”.

Kancelari Scholz i premtoi Ukrainës të mërkurën financimin e furnizimeve të drejtpërdrejta të industrisë së armatimit. “I kemi kërkuar industrisë së armatimi të na thotë se çfarë materialesh mund të dorëzojë së shpejti”, tha Scholz duke shtuar se Ukraina ka bërë një listë të sajën dhe ne i ofrojmë për këtë financimin e nevojshëm”. Scholz e shpjegoi këtë hap me limitin e kapaciteteve të furnizimit tek Bundeswehri. Për të mundësuar një furnizim të shpejtë të Ukrainës do të ndihmohen edhe shtetet europianolindore të japin armë që do të zëvendësohen pas kësaj nga rezerva të NATO-s. Në të njëjtën kohë kemi përgjegjësinë, që të mos përhapet lufta, tha Scholz. “Prandaj NATO nuk mund dhe nuk do të ndërhyjë në këtë luftë”, tha Scholz. Ambasadori ukrainas, Andrij Melnyk u shpreh i pakënaqur dhe deklaratën e Scholzit e quajti të pamjaftueshme. “Armët për të cilat ne kemi nevojë nuk janë në këtë listë”, tha Melnyk./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!