Armëpushimi Rusi-Ukrainë/ Peskov: Duhet të dimë çfarë ka në mendje Zelensky

schedule14:38 - 16 Korrik, 2024

schedule 14:38 - 16 Korrik, 2024

Rusia nuk kërkon paqe me Ukrainën, por vetëm dorëzim të plotë dhe pa kushte për Kievin. Ky është përfundimi i analizës studimore të bërë nga Instituti për Studimin e Luftës me qendër në Shtetet e Bashkuara.

Ukraina, sipas “Think-Tank”-ut amerikan, vazhdon të demonstrojë gatishmërinë e saj për të negociuar me Rusinë sipas kushteve të saj, me kërkesat për një marrëveshje paqeje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Po ashtu, qendra studimore amerikane kujton se dje Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ishte në favor të pjesëmarrjes së Rusisë në samitin e ardhshëm të paqes.

Megjithatë, theksojnë ekspertët, deklaratat e fundit nga Kremlini vazhdojnë të tregojnë se Rusia është jofleksibile në negociata dhe nuk do të marrë pjesë në një samit të dytë të paqes sepse kushtet e tij nuk janë të pranueshme duke pasur parasysh kërkesat e Moskës.

Për sa i përket mbajtjes së një tjetër samiti paqeje nga Volodymyr Zelenskyy, ka reaguar edhe Kremlini. Sipas zëdhënësit Dmitry Peskov, “samiti i parë i paqes nuk ishte aspak një samit i paqes, kështu që ne duhet të kuptojmë se çfarë ka në mendje” Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kur flet për një samit të dytë të paqes. Reagimin e tij, Peskov e bëri për agjencinë ruse të lajmeve Tass.

Sakaq, raketa dhe dronë janë lëshuar nga Ukraina mbi rajonet ruse. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se sistemet e mbrojtjes ajrore të Moskës shkatërruan 13 dronë ukrainas, 9 prej të cilëve mbi rajonin e Rostovit. Në rajonin e Kurskut, një fabrikë pajisjesh mori flakë pas një sulmi me dron ukrainas.

Fabrika e Pajisjeve Elektrike Kursk është një nga prodhuesit më të mëdhenj të produkteve elektrike në Rusi.

Goditja e rajoneve ruse është përkrahur nga Ministri i Jashtëm i Ukrainës, i cili kërkoi që të shkatërrohen bombarduesit rus përpara se ushtria ruse të hedhë bomba ajrore të drejtuara vdekjeprurëse mbi pozicionet, qytetet dhe komunitetet e Ukrainës, vuri në dukje zyrtari i lartë ukrianës, Dmitr Kuleba.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!