Eksperti i Sigurisë Fatjon Softa, në emisionin “War Report”, foli për konfliktin në Lindjen e Mesme. Gjatë intervistës, Softa tha se armëpushimi në Gaza është kritik pasi ekziston rreziku që nga momenti në moment të kthehet në konflikt. Gjithashtu shtoi se ‘mbajtja nën kontroll e kryeministrit izraelit; sipas tij është shumë e rëndësishmepër të mos krijuar probleme.
“Pavarësisht se ka një armëpushim është një situatë që mund të kthehet nga momenti në moment në konflikt. Mbajtja nën kontroll e Netanyahut është shumë e rëndësishme…Ka shumë vende në BE që kanë qëndrime të ndara ndaj Izraelit. Por ka një lëvizje që mund të krijojnë probleme edhe në vetë botën arabe. Çështje që janë sot kritike është se si do të jetë statusi i Gazës. Në këtë zonë ka ndryshuar edhe struktura e sigurisë”, tha ai.
Më tej Softa nënvizoi se pesha që ka SHBA është shumë e madhe, ndërsa theksoi se armëpushimi në Gaza nuk e zgjidh konfliktin.
“Konflikti në Lindjen e Mesme nuk është i njëjtë me konfliktin në Ukrainë dhe nuk mund të jetë e njëjta fortë për zgjidhjen e konfliktit. Gjuha e luftës nuk mund të jetë zgjidhje, pasi situata është e tillë që edhe gjendja ekonomike nuk është e lehtë”, u shpreh Softa.
Gjithashtu eksperti i Sigurisë, u ndal edhe tek lufta në Ukrainë, duke thënë se Ukraina ka krijuar eksperiencën me luftën e dronëve, duke shtuar se ka arritur të godasë edhe sektorë strategjikë.
“Ukraina me luftën e dronëve ka krijuar njëlloj eksperience. Nga luftë frontale kanë depërtuar brenda territoreve ruse. Duke e goditur tek sektorët strategjikë sigurisht që krijon një dëm ekonomik. Por Zelensky e ka thënë që fati i luftës mund të ndryshojë nëse do të ketë armë që godasin në distancë. Sasia që mund të mbajë një dron mund të jetë e limituar”, tha ai.
/abcnews.al/

