Armatimi i gjetur në veri/ Kurti: Serbia është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës

schedule17:02 - 24 Qershor, 2023

schedule 17:02 - 24 Qershor, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se zbulimi i një armatimi në një automjet me targa serbe në Zveçan, tregon se Serbia është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti u shpreh se pas rrëmbimit të tre policëve, Serbia po kërcënon me sulme terroriste.

“Mbrëmë, Policia e Kosovës (PK) në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) kanë parandaluar një sulm terrorist duke zbuluar në Zveçan, 100 metra afër objektit të Komunës, një veturë me shumë armë, municion e pajisje të ndryshme ushtarake. Panorama e këtij organizimi terrorist është e qartë: vetura me targa të Beogradit, pronë e ndërmarrjes shtetërore të hekurudhave të Serbisë; armatimi i gjetur i gjithi prodhim i Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës “Severna Brigada”, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”.

Sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara. Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës. Përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë ndaj Republikës së Kosovës duke rrëmbyer 3 zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë në 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste.  Unë i jam falënderues PK-së dhe AKI-së për punën që po bëjnë gjithë këto kohë në ruajten e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë dhe në parandalimin e krimit e terrorizmit në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti në Facebook.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!