Arlis “liron” pronat e Bistrit, GJKKO i kthen disa apartamente e dyqane

schedule15:32 - 9 Tetor, 2024

schedule 15:32 - 9 Tetor, 2024

Gjykata e Posaçme ka liruar nga sekuestroja 5 pasuritë të sekuestruara më herët ndaj ish-shefit të forcave operacionale Oltion Bistri dhe familjarëve të tij.

Në seancën e së mërkurës me kërkesë të avokatëve të kompanisë “Arlis Ndërtim” gjykata ka hequr nga sekuestro 3 apartamente dhe dy dyqane që ishin porositur nga Oltion Bistri dhe familjarët e tij, për të cilat kishin paguar 1 milion e 300 mijë euro.

Gjykata hoqi nga sekuestro këto pasuri që ishin me kontratë porosie nga Ish-shefi i Operacionales i akuzuar për shpërdorim detyre. Çështja ishte kundërshtuar në Gjykatë nga avokati i kompanisë “Arlis”.

Por nga ana tjetër shumën e parave prej 1.3 milionë euro që kompania kishte marrë nga Bistri dhe familjarët, i kalojnë Drejtorisë së Administrimit të Aseteve të Pasurive të Sekuestruara, ndërsa apartamentet dhe dyqanet i kthehen shoqërisë “Arlis”.

SPAK ra në gjurmët e pronave gjatë verifikimeve në fazën hetimore ku rezultoi sipas saj se, pronat ishin si pjesë e pasurisë së drejtuesit të policisë dhe familjarëve të tij, dhe për këtë mori masën e sekuestros së 10 apartamenteve e 22 dyqaneve, 1 vile sipërfaqe trualli 200m2, një garazh dhe një automjet tip Range Rover viti 2012 me vlerë 3.1 milion euro.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!