Arkivi shqiptar thyen kufijtë, hapet këndi për studiuesit në Shkup

schedule23:16 - 22 Nëntor, 2020

schedule 23:16 - 22 Nëntor, 2020

Studiuesit në Maqedoninë  e Veriut mund të shohin çdo të dhënë të dokumentuar të historisë së Shqipërisë, njësoj sikur të ishin në Tiranë.

Këndi Arkivor është hapësira e re e krijuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, e që është hapur për studiuesit edhe tek Leximorja e Çairit në Shkup.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivit, Ardit Bido tregoi se përmes kësaj platforme, çdo studiues pa qenë nevoja për të udhëtuar drejt Tiranës, mund të kërkojë dokumente arkivore të fondit të pasur me mbi 300 milionë dokumente që ka Arkivi i Shtetit në Shqipëri.

“Studiuesi që do të vijë në Këndin Arkivor në Shkup, është njësoj sikur të ishte në Tiranë. Edhe në Tiranë do të bënte të njëjtën gjë, pa as edhe një lloj ndryshimi. Është ekzaktësisht e njëjta formë bashkëpunimi, që nesër pasnesër ta kemi, jo vetëm kombëtar, por dhe rajonal. Ta kemi edhe në Arkivin e Maqedonisë, që ka dokumentacion mbi shqiptarët, por shumicën dërmuese e ka mbi kombin maqedonas, ta kemi edhe me Arkivin bullgar, ta kemi edhe me Arkivin grek, pse jo!” është shprehur ai.

Kjo nismë e DPA-së ka për qëllim nxitjen e kërkimit shkencor dhe ofrohet me të njëjtat rregulla, të njëjtat procedura, dhe formë siç ofrohet në Sallën e Studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Synohet që kjo nismë të shtrihet edhe në shtetet e tjera kur ka shqiptarë, që duan të dinë më shumë mbi hisotrinë  e Shqipërisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!