Albumi i katërt i këngëtares së mirënjohur Ariana Grande, “Sweetener”, tashmë është publikuar dhe fansat duket se e kanë mirëpritur këtë projekt. Në pamje të parë mund të duket si manifestim i dashurisë së saj me aktorin Pete Davidson. Por, duke gërmuar më tej në lirikën dhe domethënien e këtij albumi, vëmë re dhe atributet që këngëtarja u ka kushtuar viktimave të aktit terrorist në Manchester.
Bëhet fjalë për incidentin e vitit 2017, ku në koncertin e këngëtares në fjalë, një sulm terrorist me bombë ndodhi, duke lënë të vdekur 22 persona dhe plagosur qindra të tjerë. Shumë prej tyre ishin fëmijë. Ajo gjithashtu realizoi disa muaj më vonë një koncert bamirësie në nder të viktimave duke mbledhur bashkë emrat më në zë të muzikës POP.
Tashmë me publikimin e albumit të saj dhe krijimeve të reja, Grande rrëfeu dhe për periudhën e veshtirë që iu desh të kalonte pas tragjedisë. Ajo tregoi se u ndje e zemërthyer dhe se vuajti për muaj të tërë që të rimerrte veten për të qenë e aftë të performonte. Disa nga ndjenjat e përjetuara ajo i shpreh në këngët e reja si “Breathing”, një tekst i cili tregon për ndjenjën e ankthit të përhershëm të shkaktuar nga incidenti.
Gjithashtu, referencë shohim dhe tek produkti i saj i parë i këtij albumi titulluar “No Tears Left To Cry”, i cili është shembull i rimëkëmbjes pas një fatkeqësie dhe mesazh për vullnetin që duhet të kemi për të vazhduar përpara. Momenti më domethënës vjen në këngën e fundit të albumit, e titulluar “Get Well Soon”. Në mbarim të melodisë kënga përmban 40 sekonda vetëm qetësi, duke e bërë në total minutazhin e këngës 5 minuta e 22 sekonda, lidhur me datën e sulmit terrorist më 22/05. Qëllimi i këtij veprimi është mbajtja e një momenti heshtje për të gjithë viktimat./abcnews.al