Ari kap çmimin rekord, më i larti në 10 vjet

schedule16:42 - 30 Dhjetor, 2019

schedule 16:42 - 30 Dhjetor, 2019

Ari arriti të shënojë një rritje tjetër të vlerës së tij, duke kapur një vlerë mbi 1,500 dollarë për ons [1 ons = 28 gramë], ndërsa investitorët përgatiten për vitin 2020, me idenë se lufta tregtare SHBA-Kinë do të lehtësohet.

Po ashtu, çmimi i argjendit dhe platinit u rrit krahasuar me vlerën e tyre një vit më parë. Megjithatë kjo ecuri ishte më e ndjeshme për arin, i cili pa rritjen më të madhe në shtatë javët e fundit që nga muaji tetor, përcjell Telegrafi.

Ari këtë vit është rritur për 17 për qind, ecuria më e mirë që nga viti 2010, pasi investitorët po shohin përfitimet e gjendjes më paqësore në luftën tregtare dhe lehtësimet e Rezervës Federale.

Rritja më e lartë në treg erdhi në të njëjtën kohë me ecurinë pozitive të aksioneve në bursën aziatike, pasi Donald Trump deklaroi të martën se edhe Pekini zyrtar ishte pajtuar për një marrëveshje tregtare.

Ari përparoi me më shumë se 0.4 për qind duke arritur vlerën 1,505.62 dollarë për ons, çmimi më i lartë që nga 5 nëntori kur vlera rezultonte 1,504.71 dollarë. Nga ana tjetër argjendi u rrit me 1.4 për qind dhe tregtohet aktualisht me 18.022 dollarë për ons. Ari arriti kulmin e këtij viti me nivelin 1,557.11 dollarë për ons në fillim të shtatorit, çmimi më i lartë në më shumë se gjashtë vjet, nxitur sidomos nga një sfond i paqëndrueshëm në ekonominë globale.

Nga ana tjetër, me këtë vit të ri që po hyn, edhe perspektivat e ecurisë së arit gjithashtu po rriten. Në fillim të këtij muaji, J. P. Morgan Chase, Goldman Sachs Group dhe UBS Group AG parashikuan që çmimet të ngjiten në rekordin historik 1,600 dollarë për ons, megjithatë kjo mbetet për t’u parë.