Argita, pasardhëse politike e Berishës? Nazarko: Dalja e saj tregon mungesën e demokracisë në PD

schedule21:25 - 31 Tetor, 2023

schedule 21:25 - 31 Tetor, 2023

Analisti Mentor Nazarko thotë se dalja publike e Argita Malltezit, vajzës së ish kryeministrit Sali Berisha, tregon mungesën totale të demokracisë, por edhe të forumeve në Partinë Demokratike.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Nazarko u shpreh se Argita nuk mund të jetë pasardhëse politike e Berishës, pasi ata janë shpallur non grata familjarisht nga SHBA.

Sipas Nazarkos, nëse ajo do të angazhohej politikisht, SHBA do të rriste intensitetin e përndjekjes juridike.

“E vërteta është që në këtë shkretëtirë figurash që e rrethojnë zotin Berisha, ajo shkëlqen. Pikërisht, dalja e saj tregon mungesën totale të demokracisë, mungesën totale të forumeve të asaj partie. Në forume ka qenë i përfshirë bashkëshorti, jo ajo. Dalja e saj, siç ka një moment energjizues të opozitës që gjen një figurë që e mbron për një aferë, e cila është vetëm e para, mund të ketë edhe të tjera, por nga ana tjetër tregon krizën e figurave dhe administrimin personal apo familjar të PD. Kjo është pak, por e vërtet.

Në fund të fundit, brenda familjes Malltezi, ajo është juristja, është juriste e mirë, është profesoreshë e cila ka këshilluar edhe qeverinë. Ajo e mohon faktin që ka qenë nxitësja e afrimit të Bashës dhe grupit të UNMIK në qeverisjen e Berishës në 2005. E quaj pozitive, ishin më mirë ata që kishin punuar në një administratë ndërkombëtare, sesa grupi i qëndrestrarëve që i ngelën Berishës pas 1997. Ajo e mohoi këtë raportin me Bashën, ishte jo realiste në qasjen e saj.

Ajo do të ekspozohej ndaj sulmeve të shumta që mund t’i vijnë. Unë besoj që shtytësi kryesor i përndjekjes juridike të familjes Berisha, sot janë SHBA. SHBA ka dizenjuar jo vetëm babain, por edhe dhëndrin. Nëse ajo do të zgjidhte angazhim politik, atëherë, ajo do të rriste dhe intensitetin e përndjekjes juridike”, theksoi ai./abcnews.al