“Arena Kombëtare” pritet të jetë gati për ndeshjen Shqipëri-Francë, ndërkohë që ditën e sotme e ka vizituar edhe kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Së bashku me të ishte edhe Marco Casamonti, arkitekti që ka projektuar stadiumin e ri në kryeqytet.
“Kombëtarja ka shëtitur në disa qytete dhe ka qenë diçka shumë e mirë, sepse ka inkurajuar shpirtin e futbollit edhe në qytetet e tjera. Ama shtëpia e vërtetë është Tirana. Stadiumi i ri është një bizhu; arkitektët, kolegët e federatës, kolegët ndërtues dhe konstruktorë, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, është shprehur Veliaj.
Veliaj thekson se stadiumi është provë e asaj që nëse ka bashkëpunim, mund të bëhen shumë gjëra. “Për të gjithë ata që thonë: Jo more, ne shqiptarët nuk bëhemi, nuk jemi të aftë të realizojmë – ja, kjo është prova! Kur ne bëhemi bashkë mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme”, shtoi kryebashkiaku.
Arkitekti Casamonti foli gjithashtu për stadiumin: “Jemi shumë të gëzuar, sepse rezultati edhe nga këndvështrimi teknologjik është i jashtëzakonshëm. Një stadium me të vërtetë modern, me arkitekturë që stabilizon të gjithë këtë pjesë të qytetit, një ide e re urbanizimi. Stadiumi nuk është thjesht një vend futbolli, por edhe një vend ku qytetarët mund të vinë për pazar, për shëtitje, ka një portik të madh”, tha Casamonti. /abcnews.al